Arben Hamid Mëzezi shpallet Misionar i Vlerave

Shoqata Tirana

Arben Hamit Mëzezi shpallet

Misionar i Vlerave

Arben Hamid Mëzezi, është një nga bashkatdhetarët tanë – bir i Tiranës- prej tridhjetë vitesh pjesë e diasporës shqiptare në Amerikën Veriore; krahas vetë-afirmimit dhe suksesit individual dhe familjar, ai ka dhënë një kontribut të veçantë në forcimin e lidhjeve komunitare të shqiptarëve në diasporë.

Arben Mëzezi është i biri i luftëtarit të lirisë Hamid Mëzezit, vëllait të heroit të popullit Hamdi Mëzezi. Pas ç’lirimit nga okupatorët nazi-fashistë, Hamid Mëzezi -bir i një familje të njohur tiranase- drejtoi një nga ndërrmarrjet më të njohura e më të suksesëshme të kohës “Artistiken Migjeni”; kur ai mori drejtimin e kësaj ndërrmarrjeje ajo kishte vetëm 170 punonjës por ndën drejtimin e tij ajo u kthye në ‘gjigandin e artizanatit shqiptar’ me mbi 4500 punonjës, me një bilanc mjaft pozitiv të ardhurash nga eksporti dhe me një ansambël artistik “amator” që arriti suksese të mëdha edhe në skenat ndërkombëtare duke ua kaluar edhe shumë trupave profesionste të asaj kohe; në terma të ekonomisë së tregut kjo ndërrmarje do të ishte një nga sipërrmarjet më të sukesëshme në historinë e këtij vendi. Por mbi të gjitha, ai krijoi modelin e “njeriut human dhe mendjehapur” që – duke sfiduar luftën e egër të klasave të rregjimit të ashpër diktatorial- dha mesazhin se para së gjithash jemi qenie njerëzore të një gjaku dhe të një kombi, dhe se respektimi i dinjitetit njerëzor dhe vënia në efiçencë siç duhet e burimeve njerëzore është çelësi i çdo sukesi. Ai është nderuar nga “Shoqata Tirana” me titullin “Fisnikëria Tiranase”.

Këtë model ai ua trashëgoi edhe pasardhësve. Djali i tij, Arben Mëzezi është shembull i kësaj trashigimie; pas një rrugëtimi jete 30 vjeçar në diasporë – me sakrifica dhe punë të ndershme- ai bashkë me familjen, arriti të krijoi një mirëqënie të cilën e ka vënë edhe në shërbim të komunitetit vendas duke mbajtur ekipin lokal të futbollit në qytetin ku jeton por dhe duke marrë pjesë aktive në organizimin e veprimtarive të komunitetit shqiptar në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara. Këtë frymë ai e ka përcjellë edhe tek i biri; një mjek dhe sipërrmarës i suksesshëm në krah të të cilit qëndron e shoqja -bijë e Kosovës Kreshnike.  Sot, Arben Mezëzi, është shpallur nga Shoqata Tirana “Misionar i Vlerave”.

Misionar i Vlerave” është një titull dhe atribut të cilin “Shoqata Tirana” ia njeh njerëzve patritotë të cilët i janë përkushtuar ruajtjes dhe forcimit të frymës e të identitetit tonë kombëtar, dhe janë kthyer në veprimtarë të palodhur të çështjes shqiptare.

Shoqata Tirana u krijua në vitin 1991, nga intelektualë të shquar tiranas -ndërmjet tyre drejtues të katedrave universitare, të shërbimeve mjekësore, të institucioneve arsimore, dhe të insitucioneve vendore. Misioni i kësaj shoqate ka qënë ruatja dhe promovimi i vlerave të gjithanëshme patriotike, kulturore, intelektuale, kombëtare, materiale shpirtërore e morale – jo vetëm të trevës së Tiranës por të gjithë trevave shqiptare; pasi Tirana, si “Kryeqendër e Shtetit Amë”, është edhe kryeqendër e shqiptarisë në botë.

Sot kombi shqiptar gjendet para sfidave të reja; më se gjysma e tij jeton tashmë në diasporë, jashtë trojeve amtare, si pasojë e një periudhe të dhimbshme tridhjetë vjeçare të tranzicionit post-komunist dhe të luftërave të përgjakëshme në Ballkan.

Por ashtu siç njeriu kalitet mes sfidave, edhe kombet forcohen dhe ringrihen mes sfidave. Brenda një brezi -në vetëm 30 vjet- shqiptarët nga të gjitha viset, kanë krijuar kudo komunitete njerëzish ambiciozë dhe të suksesshëm, në pothuaj të gjitha vendet e botës; sidomos në vendet e zhvilluara perëndimore. Ata kanë ngritur bizneset e tyre dhe fëmijët e tyre mbajnë diploma të kolegjeve dhe universiteteve më të njohura duke u integruar tërësisht në shoqërinë vendase. Por ata duan gjithashtu të ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe trashëgiminë e tyre kulturore e vlerore, në të mirë të “Kombit Shqiptar si një, i vetëm dhe i pandarë”, që ky komb, brenda apo jashtë viseve amtare, të radhitet ndër kombet e zhvilluara të botës.

Përgjegjësinë e këtij misioni në emër të Shoqatës Tirana, e marrin përsipër “Misionarët e Vlerave” -bij të kombit shqiptar, me prejardhje nga të gjitha trojet amtare- të cilët i përkushtohen ruajtjes, promovimit dhe përhapjes së këtyre vlerave në çdo anë të botës.

Ky mision fillon me Arben Mëzezin në diasporën tonë në Botën e Re – Amerikën Veriore, dhe do të vazhdojë të përhapet në çdo vend të botës ku ka komunitete shqiptarësh. Qendra e këtij “misioni shqiptarie” do të jetë në Tirana, kryeqendra e Shtetit Amë dhe e çështjes shqiptare.

Leave a Comment

Your email address will not be published.