DY POEZI NGA BEDRI ALIMEHMETI

 
BEDRI ALIMEHMETI
“Mjeshtër i Madh” “Fisnikëria Tiranase”
 
 
 
 

TI ISHE BUKURIA E FUSHËS
– Fatnir Frashërit –

Dhe pse ishte mesi i ditës
papritmas dielli keqas u mjegullua.
Rrezet e tij u zbehnë,
shkëlqimi tyre u venit.
Kalimtarët poshtë në trotuare
cuditërisht ngadalësuan hapat.
Fëmijët ndërprenë lodrat.
C’po ndodhte vallë!?
Edhe volumet e bokseve
nëpër baret e mbipopulluar
aty rreth e përqark
thuajse u shuan.
Në tavolina bisedat dhe të qeshuarat
si me thikë u ndërprenë.,
Tek semaforët
asnjë makinë nuk u nis me rrapëllimë.
Në atë cast të mallkuar
qyteti befas thuajse i gjithi
mbajti frymën!
Zemra e legjendarit
të fushave të gjelbërta
mbi të cilat me gjithcka të tijën,
kishte bërë epokë dhe kishte lënë
gjurmë të pashlyeshme,
të mbranen herë rrahu.
Fatmir Frashëri nuk ishte më.
Si një vello e hirtë,
mbështjellë e shkapërda
nga tronditja e goditjes
së casteve të para,
lajmi u shtri në gjithë Tiranën.
Konstilacionit të bardhebluve
i qe shuar edhe një tjetër yll.
Pikëllimi ngërtheu
zemrat e admiruesve të tij të pafundmë.
Mimi 1) bukuri e fushave të futbollit
nuk do të jetë më.
Lotët e tyre u derdhën krua
mbi blerimin e fushave,
ku me ty gjithnjë ndiheshin
katërcipërisht të pathyshëm,
totalisht të sigurt.
Ndaj ti nuk kishe të drejtë t’i linje
sepse jo vetëm vetes,
të afërmëve, shokve e miqve,
por i përkisje gjithë Tironës.
Me ikjen tënde
qyteti ynë u varfërua
edhe ca më shumë.
Gjerdanit të bardhebluve
tash e mbrapa do i mungonte
edhe një smerald.

Romë 19 korrik 2019

1)-E thirrnin në intimitet shokët e miqtë Fatmir Frashërin
————-

MË I MIRI I KREJTVE
– Ali Memës –

Mallkuar,
ti mesditë e së martës të 26 marsit!
Qiellit të Tironës iu zbeh bluja
reve iu tret bardhësia
dhe Dajti u mrrull,
teksa nga maj’e tij
një pikë gjigande loti
u derdh mbi qytet.
Kristalet e tij,
smeraldë të shkëlqimit tënd
mbi gjelbërimin e fushave të stadiumeve
dhimbshëm shkanë mbi tjegullat e cative
rrëshqitën të drojtura
nëpër gurët e kalldrëmtë të rrugicave,
trokitën në dyert e votrave tironce,
që me gjithcka tënden pa u kursyer kurrë
u ngazëlleje zemrat
me ngrohtësit pafund që u dhuroje
në ditë-netët mbarsur me acar.
Ndën avllia spërkatën lehtë
selfijonin, vjollcat e trëndafilat e panumurt,
që aq shumë i doje.
Ti më i ëmbli,
më i qeshuri,
më i miri i krejtve Ali Mema.
Më pas përlotën gjithkënd
Tirona e gjitha u mbyt në lot.
I madh e i vogël
me peshën e rëndë të dhimbjes
qanin me shpirt nën zë.
O Zot!
Si është e mundur!
Zemra Ali Memës nuk rreh më!!!

Nuk e di!
Ti kishe lindur për Tironën?
Apo Tirona
qe krijuar enkas për ty?
Nuk e di!
Jo, jo i madhi
njeri Ali.
Zemrën në fushë
vendosje
më parë se këmbët.
Shpirti më djeg.
Lotët në sy
pafundsisht shi.

Ike.
Ti, që mbi qilimin e blertë të fushës
përsosmërisht interpretoje gjithnji,
teksa me sferën nën pushtetin e këmbëve
kur u qaseshe portave rivale
na bëje të përjetonim mrekulli.

26 mars 2019