GUNGËZIMI I PARKUT “RINIA”

Teksa kaloja një ditë në krah të parkut Rinia, dëgjova para meje dy zonja të moshuara tiranase që bisedonin rreth parkut. “Ai të mbillte ndonjë pemë dhe barin e shkelur, se bukuri ishte lulishtja…” – tha njëra. “Po pra, po na e bon me gunga, që atij i daltë gunga në ballë ishalla!…” – ja ktheu tjetra. E kishin fjalën për kryetarin e bashkisë. Ky dialog i shkurtër dhe fjala “gungë” më ngacmoi meditimin dhe fillova të mendoj…
Vërtetë, përse prishet ajo sipërfaqe e sheshtë, duke u deformuar me gunga? Përse po i dalin gungat parkut “Rinia”? Natyrisht, sipërfaqet e sheshta, këndore, apo edhe gungëzore, janë koncepte fiziko-gjeometrike, por me sa duket qenkan edhe psikologjike. Ato origjinojnë nga koshienca e disa njerëzve, të cilët nëse administrojnë kopshtin dhe baçen e tyre nuk paraqesin asnjë problem në aplikimin e këtyre koncepteve. Por kur ata kanë fatin që “kopësht personal” të kenë Tiranën tonë të dashur, atëhere ndryshon puna dhe neve tiranasit kemi të drejtë të mendojmë gjithçka, por dhe të reagojmë (së paku me një shkrim). Veçanërisht neve tiranasit, që mësuam të ecim në bulevardin mbretëror me katër korsi (i cili gjithashtu po “asfiksohet”), që tokën e qytetit e konsiderojmë si trupin tonë, na duhet të reagojmë kur disa që vetëm mësuan të shesin fiq në Tiranë, po mbjellin gunga në tokën dhe trupin tonë.
Sipërfaqja e sheshtë presupozon hapsirë, liri, tejdukshmëri e transparencë. Kur është e gjelbër, ajo bëhet sinonim i lëndinës. Po sipërfaqja e gungëzuar çfarë presupozon?… Në një këndvështrim fizik e makro, ajo mund të jetë një peizazh kodrinor, ndoshta dhe i bukur. Në sipërfaqe të kufizuara, ajo është e kundërta e hapsirës, tejdukshmërisë dhe transparencës, duke presupozuar fshehtësi, befasi, madje edhe “skuthllik”. Por mbi të gjitha, ajo reflekton një koshiencë të deformuar e të gungëzuar (me arësyetim të lidhur nyje) të njerëzve që mbjellin gunga. Natyrisht, jo në kuptimin e patologjisë mjekësore; nga pikpamja shëndetësore këta njerëz janë normalë, por gungat në trurin e tyre janë depozita të qëllimshme betonizimllëku, asgjesimllëku, snobizllëku, maskarallëku, ndoshta dhe hajdutllëku. Me psikozën e pashërueshme të betonizimit, këndzimit dhe gungëzimit, këta njerëz po na e “zbukurojnë” Tiranën e dashur me babëzinë e tyre, duke shkatërruar gjithçka të bukur historike, për të na lënë si peshqesh kubatura betoni të këndëzuara e lulishte të gungëzuara. Gjithësesi, psikoza të tilla të fshëhura në brendësi të trurit, madje të injektuara edhe në një tufë specialistash, janë të padukshme. Por, a do duhet të presim me shpresën për t’u bërë realitet mallkimi i zonjës së moshuar tiranase, që të dallojmë qartë njeriun me gungën në ballë?!…

Nga R.K.