Lamtumirë Fatmir Frashëri legjendari i fushave tė blerta të topkëmbës shqiptare


KONSTILACIONIT TË BARDHEBLUVE IU SHUA EDHE NJË YLL TJETËR

Nga: Bedri Alimehmeti

SKEDA

Datëlindja: 3 prill 1941
Vendlindja: Tiranë
Shtatlartėsia: 1,79 cm
Roli: Mbrojtës i djathtë
Arsimimi: Teknikumi i Fiskulturës, Universiteti i Sporteve dega mësuesi
Gjuhë të huaja: Anglisht, Italisht

Fillimi karrierës si futbollist:
Të rinjt e Tiranës në dy sezone 1957 dhe 1958
Me ekipin e të rriturve:
17 Nëntori: 1958-1962
Partizani: 1962-1963 dhe 1963-1964
17 Nëntori: 1964-65, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970
Me ekipin kombëtar:  12 ndeshje titullar
Ndeshja e parë me Danimarkën qershor 1963 e fundit me Poloninë tetor 1970

Karriera si trajner:
17 Nëntori 1970-1980 ekipi i të rinjve, ekipi Shpresa dhe ekipin e të rriturve.
Naftëtari 1980
Besa 1981-1982
Dinamo 1985-1986
Tirana 1990-1991
Tirana 1993-1994
Tirana 2003

Tituj e trofe si futbollist:
Kampion me Partizanin
1962-1963 dhe 1963-1964
Medalje e argjend – Vendi II me Partizanin në Hanoi (Vietnam) 1963 në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës.
Fitues në anketën “11-shi më i mirë në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit të Varshavës”.

Trofe e tituj me Tiranën:
1957 dhe 1958 Kampion me të rinjt
1959 Fitues i Kupës XV Vjetori i Clirimit
Kampion me 17 Nëntorin:
1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970

Trofe si trajner:
Fitues i Kupës së Shqipërisë:
Me 17 Nëntorin
1975-1976, 1976-1977
Kampion me Dinamon:
1985-1986
Kampion me Tiranën:
2002-2003

Detyra e funksione:
Mësues i edukimit fizik në shkolla të mesme të kryeqytetit.
1992-1993 Sekretar i FSHF
2004 President i FK Tirana
President Nderi i FK Tirana

Vlerësime:
“Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, Urdhëri “Naim Frashëri”kl. II, “Mjeshtër i Madh”.

U nda nga jeta: 19 korrik 2019

U prehsh në paqe o FISNIK i pakrahasueshëm që i dhe futbollit  karakterin e pathyeshëm, grintën e pashoqe, mjeshtrinë unikale, pathyeshmërin si askush, besimin deri në fund dhe mbi gjithcka kulturën njerëzore dhe zotnillikun e pashoq.

I pari qe Skënder Halili,që iu shkëput konstilacionit të yllësisë bardheblu, të asaj skuadre të “artë” të viteve 60-të të shekullit të kaluar, që theu hegjemoninë e Partizanit e Dinamos dhe bëri epokë me atë futboll modern cka mundësoi sic shprehej Anton Mazreku “të fryj një erë e re në futbollin tonë”, duke mbetur me cka shpalosi në fushë ende nostalgjike dhe sot për ata që e përjetuan. Pas tij u largua trajneri strateg Myslym Alla dhe me radhë Bahri Ishka, zv\trajneri Enver Shehu, Aurrel Verria, Durim Hatibi, Gëzim Saraci, Astrit Nurishmi, Josif (Xuxi) Kazanxhi, Gëzim Kasmi, Perikli Dhales, Skënder Hyka, Ali Mema dhe tani së fundi Fatmir Frashëri. Një skuadër e tërë në amëshim.
Po ku dhe kur nisi rruga sportive e “Mjeshtrit të Madh” Fatmir Frashëri?
FËMINIA DHE DORA E XHAVIT DEMNERIT, QË E SHOQËROI GJITHNJË
Në fillim të viteve 50-të në një mëhallë disi periferike nga “Tirana e re”, aty nëpër sheshet e saj duke bredhur pas topit me bashkëmoshatarët nisi rrugëtimin drejt botës së futbollit “Mimi”, kështu thirrej nga shokët e miqt e ngushtë Fatmir Frashëri. “Sa shumë futboll luhej në ato vite! – thoshte gjithnjë ai, – Një ditë qe shoku im i fëminis Aurrel Verria, që më mori me vete tek fusha e stërvitjes të të rinjve të Tiranës, mes të cilëve qe dhe ai. Në atë kohë isha nxënës në teknikumin e fiskulturës dhe gjatë një ndeshje me të rinjt e Tiranës, trajneri Xhavit Demneri më kishte ndjek me kujdes dhe i kish lën porosi Aurrelit të më merrte me vete. Profesori u gëzua dhe më bashkoi me grupin e djemve. Atë ditë në programin atletik kishim kërcim së gjati. Fillimisht kur më erdhi radha u drojta dhe u vonova paksa por atë cast mbi shpatulla ndjeva dorën e profesorit që plot ëmbëlsi më shtyu. “Ec përpara, – më tha, – atje me shokët”. Dhe ngrohtësia e asaj dore më ka shoqëruar sa herë që zbrisja në fushën e lojës”.
ME TË RINJT E TIRANËS
Tek ekipi i të rinjve vec Aurrel Verris, Fatmiri gjeti: S. Halilin, P. Panon, P. Bukovikun, E. Casllin, O. Memën, L. Bytycin, S. Pavlin, B. Kulhekun, P. Perollin,  N. Ballën, T. Gjokën etj., të cilët do të bënin emër dhe do të linin gjurmë në futbollin shqiptar. Mes atyre djemve të talentuar nën drejtimin e seleksionerit të shquar Xhavit Demneri cilësitë e tij si futbollist njohën arritje të cilësisë së lartë. Këtë fakt sapo e konstatoj trajneri Alla, e thirri menjëherë në ekipin e parë. Dhe ishte vetëm 17 vjec, kur zuri vend përfundimisht në formacionin bardheblu.
TROFEU I PARË
Bashkë me Halilin, Panon, Bytycin, Casllin, O.Memën, P. Bukovikun etj, që shumë shpejt u inkuadruan në ekipin e parë për krah: B. Stërmasit, E. Shehut, M. Metanit, E. Radës dhe T. Bacit i dhanë ngjyrat e një futbolli modern lojës së Tiranës, pa thënë se ishin vërtet shenjat e një ekipi të madh që po vinte sic edhe ndodhi në futbollin shqiptar. Ndërkohë ai spikat në takimet gjatë turneut një mujor në BRSS,  pas përfundimit të të cilit shijon fitoren e trofeut të parë, Kupën e XV Vjetorit të Clirimit (1959).
NË RADHËT E PARTIZANIT
Në vitin 1962 edhe pse po ndiqte studimet në IKLF “Vojo Kushi” thirret nën armë dhe luan për dy sezone me radhë për Partizanin dhe shpallet dy herë radhazi kampion. Me Partizanin që renditet i dyti në Spartakiadën e Ushtrive të Traktatit  të Varshavës në Hanoi (1963), fiton medaljen e argjendtë dhe shpallet fitues në 11-in e turneut.
NË GJIRIN E EKIPIT TË ZEMRËS
Pas kësaj arritje kthehet pranë ekipit të tij të zemrës dhe pikërisht në atë sezon 1964-1965 17 Nëntori triumfon mbi hegjemoninë e Partizanit e Dinamos, duke u shpallur kampion kombëtar për herë të parë pas clirimit. Dhe pse ishte titulli VII në atë kohë numerohej i pari (!). Pa diskutim një ndihmesë të veçantë në fitimin e këtij titulli e të atyre që pasuan, i takon edhe mjeshtrit Frashëri. Duke u aktivizuar herë si i majtë apo në qendër të mbrojtjes, po kryesisht si mbrojtës i djathtë, ai mbetet një mbrojtës modern tipik shembullor. Por jo rrallë, Mimin e shihje edhe në rolin e sulmuesit të krahut të djathtë, ku dallohej veçanërisht në harkimin e përkryer të topave e në riveniet me dorë nga vija ansore, që ishin idem goditje këndore.
ME FANELLËN E KOMBËTARES
Fizikisht i fuqishëm, tejet i përsosur teknikisht, mbështetës e bashkëveprues me shokët në manovrat ofensive  e difensive, Frashëri u bë i padiskutueshëm në formacionin bazë të ekipit kombëtar, ku kontribuoi për 12 ndeshje me radhë. Në radhët e të cilit ndeshja e tij më e mirë mbetet ajo e 23 nëntorit të vitit 1965, Shqipëri- Irlandë e Veriut 1-1, ku me ndërhyrjet e sakta e decizivd bllokoi për 90 minuta të madhin Xhorxh Best, yllin e “Manchester United”.
KUPA E KAMPIONEVE DHE HELENIO HERRERA
Në shtator 1965 në turin e parë të Kupës së Kampioneve (sot Champions League) 17 Nëntori u ndesh me Kilmarnok i Skocisë (0:0, 0:1). Për ndeshjen e kthimit në Skoci, shtypi sportiv britanik i befasuar nga loja e bardhebluve ndër të tjera theksonte: “Treshja difensore e 17 Nëntorit me Halilin, Frashërin e Kasmin ja mbrojtja që i duhet trajnerit të Interit braziljanit Helenio Herrera”, në ato vite i famshëm për aplikimin në ekip të lojës në mbrojtje.  STANDARDI I LIEZHIT DHE BATUTA E MYSLYM ALLËS DHE AJAKSI
Në vitin 1969 për Kupën e Kampioneve 17 Nëntori barazon 1:1 në Tiranë me kampionen e Belgjikës Standard i Liezhit. Në ndeshjen e kthimit me 17 Nëntorin për në Skoci nuk udhëton kapiteni Fatmir Frashri. Arsyeja? Një absurditet i pakuptimtë i asaj kohe. Tek po e përcillte ekipin në aeroport një zyrtar i lartë i sportit i thotë trajnerit Alla: “Rrugë të mbarë e me fitore”. “C’fitore kërkoni? – ia kthen ai – Ju po më coni topall, doni fitore!!”. Një vit më vonë mbresa e emocione të pashlyeshme do të mbeten në kujtesën e tij dy takimet (2:2,0:2) me gjigandin e futbollit botëror Ajaksin e Amsterdamit.
LARGIM I DETYRUAR
Në sezonin 1971-1972 bardheblut garuan për titullin deri në ndeshjen e fundit me Vllazninë. Në fund shkodranët dolën fitues. Por, një urdhër krejt absurd ei pakuptimtë largonte nga 17 Nentori “boshtin” kryesor të ekipit: Frashërin, Bukovikun, Kazanxhiun, Ali e Osman Memën, Ishkën, Tafajn e Xhackën. Të gjithë futbollistë me vlera, që kishin ende edhe shumë energji për të dhënë për ekipin. Pa thënë që largoheshin në mënyrë arbitrare pa u mundësuar një ceremoni lamtumire, atyre futbollistëve që kishin dhënë gjithcka për ngjyrat bardheblu.
KARIERA SI TRAJNER
Fillimisht Frashëri drejtoi ekipin e të rinjve të Tiranës, ku falë punës së tij në radhët e 17 Nëntorit spikatën emra të tillë si: Minga, Muca, Baci, Josa, Naci, Omuri  etj, emra që më pas bën epokë tek bardheblut dhe ekipi kombëtar. Në sezonet 1975-1976 dhe 1976-1977 në krye të ekipit të parë i dhuron klubit dy Kupa të Shqipërisë. Peng i mbetet fakti që nuk arrin të prekë titullin si trainer i ekipit të parë. Më pas drejton në pankinë Naftëtarin e Kucovës, Besën e Kavajës dhe me Dinamon më 1985-1986 shpallet kampion.
ËNDËRRA TË REALIZUARA
Vecmas plotësimit të personalitetit të tij si futbollist i nivelit të lartë, të një mbrojtësi modern me tipare sulmuese tejet i avancuar për kohën e në të njejtin hap me futbollin europian, pa thënë që ishte edhe një xhentëlmen-zotëri i vërtetë në fushën e lojës. Ai me bashkëshorten e tij zonjën Mira Përmeti një miss i pashpallur i viteve 60-të, krijuan një cift familjar të mrekulkueshëm, cilësuar nga bashkëkohësit “simbol i të dashuruarve”. Të tre fëmijët, dy vajzat Ani e Lea dhe djali Andi ua mbushën shtëpinë plot me nipër e mbesa. Ndërkohë në sezonin 2002-2003 duke qenë në krye të pankinës bardheblu realizon pengun e jetës, shpallet kampion i Shqipërisë me Tiranën skuadrën ku u rrit eu formua personaliteti i tij si futbollist.
BETEJA E PAFITUAR DHE IKJA
Luftoi fort dhe gjatë me sëmundjen e rëndë e të pashërueshme dhe pse u përpoq me të gjitha forcat nuk arriti ta arshivojë në arsenalin e pasur të fitoreve të tij. Lamtumirë mik i shtrenjtë, që me klasin e lartë të futbollit që shpalose dhe të vlerave njerëzore e kulturore që posedoje na dhe kënaqsi pafund.
19 korrik 2019. Ditë e dhimbshme, e rëndë e tejet e trishtë. Ikja yte legjendar i bardhebluve na e shndërroi të nxehtin e asaj dite në acar.