LIBRI TIRANA – PERSONALITETE “POLITIKE”

“PAK FJALË PËR VËLLIMIN TIRANA – PERSONALITETE ” POLITIKË ””]

Libri apo vëllimi i katërt i kolanës “Tirana – Personalitete” i takon figurave të politikës, e natyrshëm pavarësisht bindjeve dhe idealeve që mbartën apo edhe që mbartin aktualisht ato. Për rrjedhojë, në këtë botim, të gjithë këto personalitete qendrojnë bashkë, ashtu si edhe pjesëtarë të familjeve tona pluraliste. Mbi këtë bazë, të gjithë këto protagonistë janë parë nga i njëjti pozicion apo e njëjta largësi.
Kështu pra, edhe për këtë grup njerëzish, megjithëse të një fushe tjetër të jetës, e krejt të ndryshme nga ato të vëllimeve paraardhës, nuk mund të kishim veçse të njëjtin synim, evidentimin e vlerave të dyanëshme, atë të traditave të komunitetit tiranas me atë të vetë figurës së individit. Për rrjedhojë, në këtë vëllim është përdorur i njëjti standard, në zbatim të të cilit, në kriterin e parë, mbesin përsëri veçoritë e protagonistit apo ndryshe kualitetet e tij.
I përcaktuar po sipas parimeve zyrtare dhe juridike, ky kriter shtjellohet edhe një herë mbi dy përmasa dhe vetëm me nga një kahe. E para, ajo me shtrirje vertikale, shpreh nivelin deri ku ka arritur protagonisti; ndërsa tjetra, si koncept me shtrirje horizontale, pasqyron kohën apo periudhën kohore të aktivitetit të tij. Kjo përmasë e rëndësishme, që nis me Institucionet e para të Shqipërisë, d.m.th., nga dita e 28 nëntorit e vitit 1912 e që vazhdon aktualisht, ka deri tani shtrirje njëshekullore dhe të përputhur me vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Duke zbatuar kriterin e parë, në këtë vëllim të katërtë, janë përfshirë këta individë:
– presidentë të shtetit, kryeministra, zevendëskryeministra dhe ministra;
– të zgjedhurit: deputetë, kryetarë bashkie; kryetarë të qarkut dhe kryetarë të njësive bashkiake.

Kriteri i dytë, ai krahinor, po ashtu i njohur dhe i praktikuar edhe më parë, i kushtohet karakterit autokton të protagonistit ose lidhjeve të tij me Tiranën. Por, përkundrejt tre vëllimeve të para të kolanës, aplikimi i tij në vëllimin e katërtë është më i përcaktuar dhe më rigoroz.
Tamam mbi këto konceptime objektive, teknike e krejt të paanëshme, me të cilat është përcaktuar edhe fizionomia e prota- gonistit, ka rezultuar lista përfundimtare prej plot 97 personaliteteve tiranase të politikës, nga të cilët më shumë se gjysma e tyre (mbi 50 vetë) nuk jeton më. Më i vjetri në listë është Zyber Hallulli, kryetar i parë i Bashkisë së Tiranës, lindur në vitin 1842; ndërsa më i riu, Gert Bogdani, deputet i PD, lindur më 1980.
Megjithatë, në këtë libër, janë evidentuar jo të gjithë ata, por vetëm 91 prej tyre, nga të cilët gjashtë janë femra. Për arsye nga më të ndryshmet, informacionet e nevojshme për to kanë qenë të pamundura, me gjithë përpjekjet tona deri në afatet limite kohore. Në vëllimin e parë, të dytë e të tretë të serisë, shifrat përkatëse janë më të larta, e përkatësisht: 169, 276 dhe 193 vetë.
Personalitetet apo protagonistët e këtij libri mund të ishin më të shumtë nëse ndaj tyre do të konsideroheshin nivele më të ulëta të kritereve dhe pra shkallë më të liberalizuara. Është e kuptueshme se, një zgjedhje e tillë nuk do t’a ruante cilësinë e këtij libri dhe as nuk do të arrinte synimin për të cilin shkruhet ai. Gjithsesi, veç 91 protagonistëve të librit, do të përmendim,
por gjithnjë me mjaft meritë, edhe emrat e disa të tjerëve, sigurisht të njohur në administratën shtetërore, qendrore apo lokale, por aktivë dhe tejet të afirmuar për kontributet e dhëna prej tyre.
Në nivel të qeverisjes qendrore janë disa tiranas, me të cilët, falë përkushtimit dhe profesioanlizmit të tyre, u duk se u krijua një farë vazhdimësie. Prej tyre mund të kujtojmë zevendësministrat Shyqyri Këllezi, Sali Kubati, Eqrem Shijaku, Luftulla Ceka, për të shkuar deri te më të rinjtë, si Idajet Farka, Arben Jorgoni, Auron Mëneri etj.. Në qeverisjen vendore, veç prefektëve Qamil Pepa në Tiranë (1926-1927 dhe 1935-1939) dhe Qazim Bodinaku, në Dibër (1925-1927), në Vlorë (1927-1929), në Elbasan (1929-1930), në Berat (1931-1932), në Gjirokastër (1932- 1933), në Shkodër (1933-1934) etj., janë edhe nënprefektët e Tiranës si Refik Toptani (1912-1913), Sulejman Kërçiku (1914- 1914). Por, janë njëherësh edhe disa nga protagonistët e këtij vëllimi që, veç detyrave në përputhje me kriteret e trajtuara më sipër, kanë mbajtur të tjera jashtë tyre.
Po në këtë këndvështrim duhet të përmenden edhe zevendëskryetarët e Bashkisë (1912-1944), të Komitetit Ekzekutiv (1945-1991) dhe përsëri të Bashkisë (1991 e deri tani), të renditur sipas emrit që mbajti ky organ lokal. Mund të fillohet me më të hershmit, megjithëse jo saktësisht me të njëjtin emërtim të detyrës, si: Abdulla Mehmeti, Musa Vathi, Hysen Gurabardhi, Stefan Koja, Abdulla Kazani, Osman Vaqari, Sulejman Petrela e të tjerë.
Për peridhën e dytë, atë të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, të ngarkuar me lëvizje të shumta dhe shpesh enigmatike, janë Qazim Vaqari, Xhavit Sallaku (viktimë e dallgëve politike të atyre kohrave), Met Rreli dhe Xhavit Demneri, të ngarkuar me problemet më të rëndësishme të qytetit, ato të ndërtimit, të punëve komunale e të industrisë. Dhe më tej, me elementët e parë pluralistë të përfaqësimit, vitet 1991-1992 shënojnë periudhën tranzitore të këtij institucioni të pushtetit vendor; ndërsa ato 1992-1996, si rrjedhojë edhe e organizimit të zgjedhjeve, i dhanë atij fizionominë e vet të plotë, të shoqëruar edhe me emërtimin “Bashki”.
Në këtë mandat të parë të pluralizmit, dy qytetarë tiranas, Ramazan Driza dhe Gëzim Kallçiu, mbajtën postin e nënkryetarit të Bashkisë. Në mandatet që vijuan, përkatësisht më 1996-2000, ishin Ramiz Balla dhe Buron Kaceli dhe vetëm njëmbëdhjetë vjet më pas, më 2011, do të vinte një pinjolle tiranase, Jorida Tabaku, jo vetëm e vetmja femër e deritanishme, por edhe më e reja e tyre.
Sikurse në vëllimet e mëparëshme, edhe për të katërtin, informacionet mbi evidentimin e veprimtarive të protagonistëve, u siguruan nga burime të llojllojshme. Më kryesorët janë publikimet e ndryshme, zyrtare apo jo, duke filluar madje që nga botimet e Kuvendit të Shqipërisë, ku veçohet sidomos “Ligjvënësit Shqiptarë”, 1920-2005”. Më tutje, informacionet vazhdojnë me të dhënat e medias e të internetit përmes motorit “google” dhe më në fund deri te ato gojore nga vetë protagonistët e librit apo nga pasardhësit dhe familjarët e tyre.
Nuk kanë munguar edhe kontributet me mjaft vlerë të qytetarëve të nderuar tiranas, nga të cilët mbesin gjithnjë konstantë zz. Zydi Turdiu, “Fisnikëria tiranase” dhe i pari kryetar i Shoqatës “Tirana”, dhe më tej Ferdinand Petrela, Orhan Jegeni, Albert Hanxhari, Bajram Delisula e të tjerë.
Gjithsesi, jo të gjithë këto informacione arritën në të njëjtat kuota. Referuar sidomos zhvillimeve të herëshme, natyrshëm që ka edhe ndonjë mangësi. Kështu, për periudhën që fillon nga zgjedhjet e para, ato për në Këshillin Kombëtar apo Parlamentin, të mbajtura më 31 janar 1920, e deri në ato për në Asamblesë Kombëtare të tetorit 1943, nuk është përkatësia e protagonistit me subjektin politik. Me formë tjetër, kjo vihet re edhe për periudhën e diktaturës (1944-1990), ku subjekti zgjedhor ishte vetëm një, Fronti Demokratik i Shqipërisë, organizata më e madhe e masave, në emër të të cilit kandidonin anëtarë ose jo të Partisë së Punës, të vetmës forcë politike në Shqipëri.
Për të gjitha zgjedhjet e zhvilluara prej 31 marsit të vitit 1991, pra të karakterit pluralist, nga 91 protagonistët e këtij vëllimi, 16 janë të Partisë Demokratike, dhjetë të Partisë Socialiste, dy të Partisë Republikane, një i Partisë së Punës, një i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe një i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar.
Sistemimi i materialeve mbi jetëshkrimet e protagonistëve të librit dhe mbi karrierën profesionale e politike të tyre, si dhe përgatitja për botim, është realizuar po sipas praktikës së ndjekur në vëllimet paraardhëse. Në përshtatje me një platformë të hartuar e të shpërndarë paraprakisht, jemi përpjekur që, paraqitja, harmonizimi dhe sinkronizimi i tyre të nxjerri sa më realisht vlerat e çdo individi.
Hapësirat jo të njëjta që zë çdo protagonist i librit nuk nënkupton asnjë paragjykim subjektiv apo mendim të këtij lloji. Ata janë rrjedhojë vetëm e sasisë së informacioneve të disponuara mbi secilin prej tyre; por, sigurisht edhe e kontributeve dhe e pozicionit zyrtar apo e shkallës hierarqike që kanë mbajtur ata. Po ashtu, sikurse në tre vëllimet e para, kur ka qenë e nevojshme, janë evidentuar edhe veçori të familjeve dhe të rrethit shoqëror të protagonistit, deri elementë të tjerë të karakterit episodik.
Mënyra e prezantimit të protagonistëve ka ruajtur po atë konceptim, në përmbajtje dhe në formë. Për të njëjtat motive, edhe rrjeshtimi i tyre i përgjigjet përsëri parimit kronologjik. Treguesit kriterialë, falë të cilëve prezantohet secili prej protagonistëve, nuk kanë zënë më shumë se dy rradhë.
*
* *
Nga vëllimi “Politikë”, ku, natyrshëm, jetëshkrimet dhe veprimtaritë e protagonistëve të tij janë evidentuar deri në një masë të arsyeshme, rrjedhin edhe përfundime mjaft domethënëse e prej të cilëve, krejt kalimthi, po rendisim disa prej tyre:
► Prania e tiranasve në politikë, pavarësisht shkaqeve dhe faktorëve të ndryshëm, është jo në shkallën e duhur. Kjo është arsyeja pse, ne tërhoqëm më parë edhe vëmendjen e Rinisë, me gjithë se kohët e fundit ka disa tregues për të mirë.
Ky realitet shihet më dukshëm edhe përmes shifrave të mëposhtme. Nga gati 2500 deputetë, të evidentuar prej vitit 1920 e deri tani në parlamentet e Shqipërisë, vetëm diçka më tepër se 70 nga ata janë tiranas autoktonë, pra shumë pak. Në Legjislaturën 2005-2009, nga 140 deputetë, vetëm dy nga ata, nga një në secilin krah, pozitës dhe opozitës, ishin po të tillë, e pra përsëri shumë pak. Tregues të këtij lloji vihen re edhe në përbërjet e qeverive, madje deri të instancave më të ulta e vendore.
► Këto tregues nuk kanë qenë të pandryshueshëm për periudha të ndryshme kohore. Duke ndarë aktivitetin e pushtetit lokal të qytetit të Tiranës në dy periudha: e para, prej vitit 1912 e deri më 1944 dhe më pas, e dyta, prej atëherë e deri tani në vitin 2012, vihen re dallime të ndjeshme. Gjatë së parës, që zgjati 31 vjet, nga 16 kryetarë të Bashkisë, dhjetë prej tyre (ose 62%) ishin tiranas, e të cilët bashkërisht drejtuan për 20 vjet (70%).
Për periudhën e dytë, këto shifra ishin krejt ndryshe. Nga gjithsej 19 kryetarë të Komitetit Ekzekutiv, gjatë viteve 1944- 1990, pat vetëm katër tiranas (ose 20% të tyre) e që drejtuan jo më tepër se 10 vjet (23%). Për njëzet vjetët e demokracisë: nga katër emra kryetarësh të deritanishëm të këtij institucioni, vetëm njëri ka qenë tiranas dhe që ka drejtuar për katër vjet.
► Ndërmjet vetë familjeve apo fiseve tiranase, ka po ashtu dallime. Më të shumtët, ose gjashtë protagonistë të këtij libri, janë Toptanë; për të vazhduar më tej, me nga tre, që i përkasin familjeve Begeja, Këlliçi, Tafaj dhe Xhepa.
► Nga 25 protagonistët që i takojnë periudhës së diktaturës, rreth dhjetë nga ata, ose 40% e tyre, pra jo pak, e mbyllën karrierën politike me masa të formave dhe të shkallëve të ndryshme. Dënimet, që fillonin nga më të ulëtat, pra të karakterit thjesht administrativ, shkonin deri ato në kapitale.

***

Në mbyllje të punës sonë mbi vëllimin e katërtë të kolanës “Tirana – Personalitete”, atij “Politikë”, gjejmë rastin të shprehim edhe një herë falënderimet për të gjitha mendimet dhe sugjerimet e dashamirësve tanë, çka do t’i mirëpresim edhe në të ardhmen.
Ndërkohë, duam të sigurojmë lexuesin se, çdo mangësi dhe pasaktësi që mund të vërehet dhe për çka kërkojmë ndjesë, nuk është subjektive, por ka vetëm shkaqe teknike.
Dhe më në fund, është vendi dhe koha që, në emër të të gjithë lexuesve dhe të vetë komunitetit të falenderojmë sinqerisht

“Shkollën e Lartë Universitare, Kolegji profesional,
New Generation”
për sponsorizimin e këtij libri.

Për sa na përket ne, duke ruajtur të pandryshuar mendimin mbi nevojën e veprimtarisë botuese në dobi të personaliteteve të veçantë dhe të vetë bashkësisë tiranase, do të vazhdojmë të japim kontributin tonë dhe, si gjithnjë pa asnjë lloj interesi. Në kuadër të këtij seriali, tashmë mendojmë edhe për vëllimin e pestë dhe të cilin besojmë të angazhohemi sa më shpejt.

AUTORËT

Tiranë, shtator 2012