LIBRI “TIRONA DHE TIRANASIT’

 

Historia dhe vlerat e Tiranës e të Tiranasve janë pjesë e qenësishme dhe të lashta historise dhe vlerave të Kombit Shqiptar. Çdo perpjekje, për t’i parë ata veçmas dhe të ndara nga njëra tjetra, do të ishte një nismë e dështuar.
Për to ka botime të shumta shkencore, historike dhe letrare, madje të hershme, nga të cilët, sipas kronologjisë së botimit të tyre, po citojmë vetëm disa: nga Kuvendi Jezuit i Shkodrës, “Historia e Tiranës”, 1929; nga Hafiz Ibrahim Dalliu, “Patriotizma në Tiranë”, 112 faqe, Tiranë 1930 e ribotuar më 1995; nga Osman Myderizi, “Tirana 1614-1937”, 75 faqe, Tiranë 1937; nga Kristo Frashëri, “Historia e Tiranës”, Toena, 470 faqe, Vëllimi I, Tiranë 2004; nga Dom Mark Dushi, “Tirana dhe rrethinat e saj”, Toena, 252 faqe, Tiranë 2005, e duke shkuar më tej, deri te autorët dhe studiuesit e mëvonshëm, nga të cilët: Skënder Jasa, Kaliopi
Naska, Bedri Alimehmeti, Gazmend Bakiu, Xhemal Balla, Skënder Farka, Koço Zheku, Rezarta Delisula e sa të tjerë.
Në këto punime jepet material i bollshëm, i çmuar dhe cilësor e me të cilin mjaft qartë evokohet tradita, patriotizmi dhe qytetaria e shkëlqyer e trevës dhe e popullit të Tiranës, rrjedhimisht edhe e protagonistëve dhe e personaliteteve të shquara të saj.
Për vlerat e Tiranës dhe të tiranasve, shkrime e studime jo të pakta ka edhe nga autorë të huaj. Kështu, Evlia Çelebi, zyrtar turk, i cili në vitin 1664, pra mbi 350 vjet më herët se sot, e gjeti Tiranën me kadi e me vojvodë, thotë se “Qyteti, ndodhet në një fushë të gjerë, ai ka shumë xhami, hane, banjo, dyqane dhe kopshte”. Po kështu, kanë shkruar edhe të tjerë: Georg Von Hahn, Zhak Bukart, Imzot Rafael D’Am-brozio, Miss Edith Durham, Hecquard, Roberto Almagia, L. M. Ugolini e sa të tjerë të mëvonshëm si këta.
Nga pikëpamja administrative dhe sipas regjistrimit të vitit 1431, pra para themelimit të bërthamës së qytetit, treva e Tiranës nuk përbënte njësi më vete. Në atë kohë, Shqipëria e mesme e sotme, aty ku ndodhet kjo trevë, si dhe ajo e jugut, ishin në të njëjtin sanxhak (provincë) të vetëm, në atë të quajtur Arvanid. Nga ana e tij, sanxhaku
përbëhej nga disa vilajete ose prefektura. Sa i përket Tiranës që, në atë kohë nuk përbënte sanxhak të tillë, ajo ishte e përfshirë në dy vilajete.
Në disa botime të vjetra e të hershme, thuhet se, në vitin 520, Perandori Justinian kishte ndërtuar në Tiranë një kështjellë bizantine. Megjithatë, deri tani, ende nuk është arritë që, territori i zënë nga objekti në fjalë të jetë i përcaktuar saktësisht.

***

Të dhëna arkeologjike, dhe me mjaft interes për territorin ku nisi dhe vazhdoi Tirana, janë bërë tashmë të njohura sidomos prej fundit të shekullit të kaluar. Copa enësh prej balte, vegla pune, eshtra njerëzish etj., të gjetura në shpellën e Pëllumbasit, e të ndodhur në rrëzë të malit të Dajtit, vërtetojnë epokën parahistorike të trevës. Duke vazhduar edhe më tej, në rrugën e sotme
“Naim Frashëri”, në perëndim të qytetit të Tiranës, në vitin 1972, u zbuluan disa ndërtime të rëndësishme e që i përkasin shekujve të parë të erës sonë.
Ndër të tjera edhe mozaikët e një bazilike të kësaj kohe me sipërfaqe prej 33 m2, nga 164 m2 që mendohet se duhet të kenë qenë gjithsej, dëshmojnë edhe një herë dhe krejt qartë shtresëzimet kulturore të qytetit të Tiranës.

***

Megjithëse emri Tiranë njihej më herët se vetë qyteti, për herë të parë, ai ndeshet në një dokument të Venedikut të vitit 1418. Madje, në hartën e vitit 1154 të gjeografit arab Al-Idrizi, mendohet se, me emrin “Taronika”, të lexuar në të, bëhet fjalë për trevën e Tiranës. Për prejardhjen e këtij emri, ndoshta si në asnjë rast tjetër të këtij lloji, ka edhe legjenda të njohura e të trashëguara ndër breza.
Gjithsesi, ata janë më të vonshme se koha kur atë e përmendi Barleti. Objekte të tjera, veç atyre më sipër, madje brenda qytetit dhe në anën tjetër të tij, i takojnë kalasë së Tiranës, të ndodhur fare afër selisë së sotme të Akademisë së Shkencave. Këto dëshmi të historisë së lashtë të kësaj treve, e tashmë pjesërisht të hapura, u zbuluan së pari gjatë punimeve për rikonstruksionin e rrugës “Murat Toptani” të ndodhur brenda qytetit e tashmë të kthyer në pedonale.
Ata rifilluan në vitin 2008, për çka, me interesimin dhe përkushtimin e saj, mbi të cilën do të flitet edhe në vazhdim të librit, rol tejet të rëndësishëm pat edhe Shoqata “Tirana”. Gjithsesi, ende nuk dihet koha të cilës i përkasin ata themele të zbuluara dhe ajo kullë rrethore, bashkë me kalldremin pranë saj. Megjithate, këta objekte mendohen si fortifikime që i takojnë periudhës para Turqisë.
Më vonë, kazaja e Tiranës kaloi në varësi të sanxhakut të Shkodrës; ndërsa në fillim të viteve 1700 ishte kthyer në qendër të vet. Sipas studiuesve perëndimorë, kjo njësi që konvergjon me qendër nënprefekture e që, për nga popullsia ja kalonte Petrelës, Prezës e Ndroqit; ndërsa për nga rëndësia krahasohej me Elbasanin, Krujën, Durrësin e të tjera qendra të mirënjohura të kësaj zone.
Pozicioni ku u themelua qyteti nuk ishte i rastit; ai përfaqësonte ndërprerje të rrugëve të atëhershme.E, kështu, fusha e Tiranës, me kohë, u kthye në një nyje të rëndësishme të karvaneve. Në vazhdim po përmendim edhe faktin e mirënjohur se, jashtë qytetit të sotëm të Tiranës, ka një sistem jo të pakët kalashë, siç është ajo e Dorzit, e Prezës, e Dajtit, e Lalmit, e Persqopit, e Petrelës, e Tujanit dhe e Ndroqit (përmendur edhe nga Barleti). Të gjitha ato rrethojnë qytetin e shtrirë në atë fushë të begatë ku kalon edhe lumi i Riglatës  (i Tiranës). Këto kala dhe këto fortesa të shumta edhe në numër provojnë qartë rolin e rëndësishëm e po ashtu mjaft strategjik që kishte kjo trevë sidomos në mbrojtjen e Krujës e të Durrësit.

***

Duhet të jenë të rralla rastet që themelimi i një qyteti të lidhet me një emër të vetëm, siç ndodh me Tiranën dhe me Sulejman Pashë Bargjinin. I njohur më së shumti me toponimin Sulejman Pashë Mulleti, dëshmohet fakti se ky personalitet ishte një sundimtar vendas nga fshati Mullet, mjaft afër Tiranës. Familja e tij pasi mori drejtimin e qytetit e ruajti atë për afër 200 vjet.
Falë ndërtimit të një kompleksi të përbërë nga tre objekte të veçantë kulturorë e ekonomikë: një xhami, një furrë e një hamam, të nevojshëm për një jetë qytetare normale, Sulejman Pasha arriti të krijojë një nukël që mund të konsiderohet si bërthama e parë urbane e qytetit të sotëm. Me vitin 1614, ky fakt daton nisjen e një “qyteti të ri” ose të “qytetit të sotëm” të Tiranës. Ky qytet, që nisi kështu rrugëtimin e organizimit të vet administrativ e që, siç mund t’i thuhet thjeshtë e “simbolikisht”, pak kohë më parë sapo kaloi 400 vjetorin e tij. Gjithsesi, megjithëse e vogël, e me të paktën 15 shtëpija, por e rrethuar edhe me të tjera si ato, është e qartë se aty ndodhej një qendër pararendëse e banuar. Këtë fakt e ndihmonte së tepërmi e pa dyshim edhe pozicioni mjaft i favorshëm gjeostrategjik i saj, e të cilin Sulejman Pasha e kishte pëlqyer së tepërmi.
E ndjejmë të domosdoshme t’i referohemi këtu historianit të shquar Kristo Frasheri, i cili në veprën e tij shkencore kushtuar Tiranës, thotë shprehimisht se, në historinë e saj, Tirana ka njohur dy ringjallje e që lidhen me stabilitetine trevës. E para i takon kohës së Justinianit, kur u vendos ligji dhe qetësia, pra shekullit 3-të deri të 6-të; ndërsa e dyta kur u vendos regjimi i Perandorisë Osmane. Kështu, në këto rrethana, edhe fusha e Tiranës filloi të popullohej përsëri. Banorët e kalave për rreth, e tashmë të sigurtë në stabilizimin e rendit, nisën të zbritnin në këtë fushë. Pikërisht kjo veçori përkon me themelimin e qytetit të ri apo të sotëm të Tiranës e të ndodhur në ultësirën e rrethuar madje edhe nga kalatë me histori edhe më të hershme se vetë Tirana e asaj kohe.
E pra, pas periudhës së parë të zhvillimit të Tiranës, që, siç thamë, i përket shekujve 3 dhe 4 (pushtimi romak), pas vitit 1600 ndodh ripopullimi i saj me banorë të trevës për rreth. Në vitin 1703, qyteti kishte mbi 500 shtëpija me 4.000 frymë, duke arritë Krujën dhe duke kaluar Durrësin që kishte vetëm 1.000 banorë. Ky fakt mund të vërtetohet lehtë. Duke parë që edhe në qendër, vetë qyteti i Tiranës banohet tani nga familje me emrin e vendit të origjinës së tyre si: Petrela, Preza, Vaqarri, Ndroqi, Fortuzi, Mneri, Farka etj., kur flasim për Tiranën 400 vjeçare kemi parasyshë vetëm qytetin si njësi urbane dhe administrative që ka fillimet dhe kontunitetin e vet dhe jo krejt trevën e Tiranës me historinë e saj mijëravjeçare. I themi këto sepse edhe vetëm nga këto zbulime e studime të deritanishme, si dhe nga argumentët e tjerë që u përmendën më sipër, fare qartë del përfundimi se, treva e Tiranës ka histori shumë më të hershme se sa vetë qyteti i saj administrativ. Dita që përkon me fillimin e vitit 1023, pra me atë të datës 1 të muajit Muharrem, i pari sipas Hixhrit ose 1614, sipas kalendarit zyrtar, lidhet me ndërtimin në këtë qytet të
Xhamisë së Sulejman Pashës. Kjo vepër e mirënjohur me këtë emër, veçse objekt kulti, kishte vlera të tjera e të çmueshme e sidomos të arkitekturës popullore. Pa lënë mënjanë sentimentalizmin dhe vlerësimin e merituar për këtë objekt historik e fetar, nga vetë vendasit tiranas, ajo faltore nisi të quhej me emërtimin “Xhamija e vjetër”. Dhe kjo ishte rezultat i shtimit të popullsisë, përkatësisht dhe i kërkesave të saj. Më tej, ky objekt i kultit do të ishte i pamjaftueshëm, çka do të thotë se do të ndërtoheshin edhe të tjerë më të rinj.
Bashkë me kompleksin e tij, objekti në fjalë përbën bërthamën historike rreth së cilës do të shtrihej i gjithë qyteti i ardhshëm mesjetar. Që nga ajo kohë, Tirana vazhdoi të rritej mjaft vrullshëm, deri sa më vonë do të bëhej edhe kryeqendër e Shqipërisë dhe vendmbledhje e shqiptarëve.
Brenda rreth 90 vjetësh pas themelimit të tij (1708), ky qytet u bë qendër Kazaje apo nënprefekture me institucionet e veta ligjore te atëhershme si: Gjykatat (Kadiun), Këshillin (A’janet), Forcat e rendit (Serdarin) bashkë me kreun e saj Muteselimin (pjesë e sanxhakut të Ohrit dhe e vilajetit të Rumelisë). Ndër objektet e tjera që u ndërtuan në vazhdim, veçohet sidomos ai i fundit i shekullit 18-të dhe i fillimit të atij të 19-të. Haxhi Et’hem Beu, një tjetër personalitet i shquar, i quajtur edhe Haxhi Et’hem Bej Tirana, përfundoi në vitin 1821 një xhami të re, të nisur më herët nga i ati i vet, Molla Beu. Ky objekt i ri, që është edhe sot e që mban po emrin e ndërtuesit të tij, shquhet për dekoracionet e mrekullueshme të tij e sidomos e në mënyrë të veçantë për elegancën e minares së tij.
Bashkë me kontributet e qytetarëve tiranas, gjatë dhjetëvjeçarit 1821-1830, Haxhi Et’hem Beu ndërtoi edhe një objekt tjetër e mjaft të bukur, Kullën e sahatit. Për të u përdorën gurë të nxjerrë në afërsi të urës së Brrarit (fshat i ndodhur pranë Tiranës) e të gdhendur me mjeshtri. Ky objekt i hershëm, tashmë gati dyshekullor, me lartësi 30 m e me bazë 3,6 x 3,6 m, nuk mund të ishte i rastësishëm. Ai pasqyron dukshëm dhe fare mirë nivelin ekonomik e kulturor të vetë banorëve të Tiranës, rrënjët e të cilit vinin që nga traditat e hershme të vetë qytetit.
Për t’ju përshtatur teknikës bashkohore të mekanizmave të një sahati të këtij lloji, shumë më vonë, plot një shekull më pas, në vitin 1928, kulla e Sahatit të Tiranës, duke u lartësuar deri në 35 metra, u rikonstruktua mjaft dukshëm dhe po aq hijshëm në pjesën e sipërme të saj
Ky binom objektesh, e po aq të hijshëm, Xhamija dhe Sahati, e që shkon në të njëjtin drejtim me kulturën bashkëkohore, u bë simbol i Tiranës. Megjithatë dhe fatkeqësisht, në dekadat e fundit, falë ndërtimeve shumë të larta, si dhe të arsyeve të tjera nga më të ndryshmet, kryesisht të karakterit subjektiv, ai realitet i hijshëm është zbehur, madje jo pak. Dëshirojmë që, për të ardhmen, probleme të këtij lloji të mbeten detyra të rëndësishme të të gjithë komunitetit Tiranas dhe më tepër të drejtuesve të tij.
Ndërkohë, falë rolit të Haxhi Et’hem Beut, atij burri të ditur e të nderuar, qyteti i Tiranës nisi të marrë strukturat e duhura urbanistike. Me zhvillimin e tij, shumë shpejt dhe po aq dukshëm, filloi përparimi i zejtarisë e sidomos në punimin e mëndafshit, pambukut, qeramikës, metaleve etj..

***

Kërkesat e domosdoshme të kohës diktuan gjithashtu edhe ndërtimin në vazhdimsi të objekteve të tjera të rëndësishme. Ky fakt erdhi si rrjedhojë e zhvillimit të shpejtë ekonomik, por falë edhe organizimit të zejeve në unione (esnafe) e që çuan në realizimin e projekteve me qëllime publike. Në shekullin XVIII, mbi lumin e Lanës, u ngritën “Ura e Tabakëvë”, aktualisht monument kulture, dhe “Ura e Terzive”, që nuk është më.
Në rrugën Tiranë-Ndroq, pra jashtë qytetit, familja Beshiri përfundoi në vitin 1859 një urë mbi lumin Erzen, për ndërtimin e së cilës, ajo pat marë edhe një inxhinier nga Triesteja e Italisë (edhe sot, ky objekt, megjithëse i rikonstruktuar disa herë), njihet me të njëjtin emër; ndërsa në krahun tjetër të qytetit është ura e mirënjohur e Brrarit (që e përmendëm edhe më sipër), 20-22 metra e gjatë, pjesë e rrugës së Arbërit, e që i takon po shekullit XVIII.
Të gjitha këto realitete dëshmojnë përsëri dhe pa mëdyshje edhe nivelin ekonomik e kulturor të qytetit, që po rritej e zhvillohej pa ndërprerë, e po ashtu edhe shpirtin altruist dhe kohezionin komunitar të tiranasve.
Banorët e Tiranës, të ndërgjegjshëm për përparimin e qytetit, vazhduan të jepnin kontribute për ngritjen dhe mirëmbajtjen e objekteve të tjera ekonomike dhe shoqërore.

***

Zhvillimin e gjithanshëm e të pandërprerë të qytetit të Tiranës, Sami Frashëri e tregon si qendër të 101 fshatrave. Në vitin 1830, ajo kishte 13.000 banorë; ndërsa më 1881, pra më tepër se 130 vjet më herët se sot, tre herë më shumë se Durrësi, megjithëse administrativisht varej nga ai.
Më tej, qyteti i Tironës, që pandërprerë rritej gjithnjë, nisi të organizohej edhe në lagje, nga të cilat: Abdulla Bej, Xhamia Sherif, Ismail Efendi, Sulejman Pashë e të tjera.
Në vitin 1852, si në Berat, Korçë e Shkodër, falë ligjit të nxjerrë nga Perandoria Turke, edhe në Tiranë, u hap Dhoma e Tregëtisë. Me këtë akt, niveli i zhvillimit ekonomik të Tiranës mund të krahasohej edhe me atë të qyteteve të tjerë të përmendur më sipër.
Në vitin 1897, Dhoma apo Oda e Tregëtisë së Tiranës, megjithëse qendër dministrative relativisht më e re se partneret e veta, kishte në varësi të saj edhe bujqësinë. Ky fakt dëshmon bindshëm për nivelin e duhur të organizimit administrativ dhe varësinë që patën nga qyteti i Tiranës ish qendrat e zhvilluara si Petrela, Preza, Ndroqi etj..

***

Jeta shoqërore dhe politike, bashkudhëtare e përherëshme e qytetit, natyrshëm, pat edhe protagonistët e vet.
Përveç familjeve të Sulejman Pashës dhe të Haxhi Et’hem Beut, ndikim dhe rol tejet të rëndësishëm do të kishte në vazhdimsi një familje tjetër e madhe dhe më e re, pjesë e shtresës së lartë e ndër të paktat në Shqipëri; ishte ajo Toptani, për të cilën do të flitet edhe në vazhdim. Përmes forcës, pa përjashtuar edhe ndonjë dredhi të rastit, kjo familje arriti që, në Tiranë, të vendosë sundimin e saj, duke i dhënë fund, në këtë mënyrë, atij të Bargjinëve.
Por, duke e parë në kontekstin historik dhe në dinamikën e ngjarjeve të kohës, Tirana njohu më pas edhe impulse te reja të zhvillimit të mëtejshëm. Familje të hershme si ajo Kubati e më tej edhe: Petrela, Hobdari, Karapici, Tafaj, Begeja, Jella, Kazazi, Mara, Mumajesi, Stërmasi e sa e sa të tjera si ato, ishin ndër të parat prej tyre që populluan
Tiranën në vitet 1600.
E, në rrethana të tilla, më tepër se sundimtarët e kohës, këtë qytet e kanë udhëhequr dyert e mëdha e deri ata të mesme të qytetit. Nga Tirana dolën plot burra patriotë të ndritur e të përmasave kombëtare. Janë të njohur edhe tiranasit pjesë të lëvizjeve  rilindëse, madje më tej deri te ngjarjet më madhore të historisë së vendit tonë.

***

Tirana kishte të dërguarit e vet edhe në ngjarje madhore kombëtare si: Said Toptani e Hasan Mema, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878; Refik Toptani, në Kongresin e Manastirit më 1908; Hafiz Dalliu, në Kongresin e Elbasanit, më 1908; Abdi Toptani dhe Murat Toptani, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 1912; Murat Toptani, në Kongresin e Lushnjes më 1920 e më tej, në të tjera ngjarje të rëndësishme historike e patriotike të këtij lloji.
Ngritja e flamurit shqiptar nga patriotët tiranas, akt madhor historik dhe i duhur për të përballuar rreziqet e kohës, si ata serbe dhe malazeze, dihet që ndodhi më herët se në Vlorë që, më 26 nëntor, dy ditë para 28 nëntorit 1912, ditës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

***

Lëvizjet patriotike, përfshirë edhe popullsinë e qytetit, po ashtu edhe të fshatit shpërthyen sidomos pas Luftës së parë botërore. Ata nisën që nga shoqëritë atdhetare e më tej me mësuesit, intelektualët, nëpunësit, të rinjtë, klerikët e sa të tjerë deri te ato kulturore e sportive.
Vlerat e shumëanëshme të trevës e të vetë qytetit të Tiranës, ishin faktor i rëndësishëm dhe shërbyen si premisa, pse më 1920, burrat e mençur dhe patriotë të Kongresit të Lushnjës e zgjodhën atë për kryeqytet të Shqipërisë. Më pas, deputetët e Asamblesë Kombëtare të vitit 1925, këtë vendim e shpallën edhe zyrtarisht.
Në kohën e Princ Vidit, ideja shumë e njohur për të bërë Shkodrën kryeqytet, apo të tjerë qytete si ajo, ishte kundërshtuar me argumentë bindës dhe objektivë, ndër të cilët edhe me faktin mjaft të rëndësishëm se, ndryshe nga ato, “Tirana ishte vend i parrahur nga influencat e huaja dhe formon qendrën natyrale të patriotizmës shqiptare” (Dom Mark Dushi, “Tirana dhe rrethinat e saj”, fq. 66). Madje, ka dokumente që, shumë më parë, më 1877, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni kishin menduar vetëm këtë zgjidhje.
Zhvillimi i Tiranës, si kryeqytet i ri, filloi të shprehej edhe përmes hartimit të planeve urbane dhe të ndërtimit të objekteve të ndryshëm industrialë, administrativë, kulturorë e arsimorë. Tendenca për zbatimin e parametrave europianë kishte nisur të dukej që herët. Biblioteka e parë, në Tiranë, edhe pse në atë kohë kryesisht me libra turqisht e arabisht, daton vitin 1834; ndërsa postë-telegrafi, atë 1862.
Pas Pavarësisë, bashkë me objektin më të ri, Muzeun Kombëtar, edhe Biblioteka Kombëtare në Tiranë u hap po herët që, në vitin 1922. Fillimisht, ky institucion kishte vetëm 5.000 vëllime librash, shumica e të cilave ishin dhurata të qytetarëve autoktonë Tiranas. Në vitin 1938, veç periodikëve të ndryshëm, kjo shifër arriti në 15.000 vëllime.
Arsimimi shqip, për të cilin më gjatë do të flitet edhe në vazhdim, ka po ashtu traditat e tij të hershme.
Tirana pat edhe shtypin e saj. “Zani i ri” ka qenë gazeta e parë, numri 1 i së cilës doli më 2 gusht 1920.Vazhdoi më tej e përmuajshmja “Arsimtari”, për të shkuar deri te e mirënjohura “Dajti” më 5 janar të vitit 1924.
E, kështu pra, Historia e Tiranës, e hershme dhe me tradita, tashmë për gati një shekull edhe kryeqendër administrative dhe ekonomike e Shqipërisë, vazhdon pandërprerë e me sukses deri në ditët tona.