• Phone: +355692037057
  • Email: [email protected]
  • Address: Rruga e Saraçëve (Tek Selvia) Tiranë, Albania

Mësimet e një Vizite të Çmuar

Nga Arben Tafaj
Vizita në atdhe’ e mjekes shqiptare Lindita Çoku shënoi një ngjarje të rëndësishme për shoqatën Tirana. Kardio-kirurgia tashmë e mirënjohur në Shtete të Bashkuara solli më shumë sesa shpirtin dhe kontributin e një tironsje, të vetëdijshme për rëndësinë e rrënjëve në jetën dhe perspektivën e një njeriu të suksesshëm. Ajo solli frymën dhe besimin e një tregu të lirë – që unë do të doja ta lexoja me zë për mjedisin shqiptar.
E para, Lindita Çoku na dëshmon fuqinë e një tregu të shanseve të barabarta, të ndërtuar mbi meritokracinë. Mesazhi i saj është i drejtpërdrejtë: Në vende ku njeriu, aftësia dhe dija e tij vlerësohet – ai që guxon, arrin të promovohet. Kush përpiqet, e gjen suksesin. Kush investon me besim tek vetja, realizon ëndrrat e veta dhe shërben si një model i denjë për komunitetin. Standarti i suksesit ndërtohet mbi punën dhe angazhimin e njëmendtë të qytetarit për t’i shërbyer sa më mirë shoqërisë, për rrjedhojë edhe vetes.
Shembulli i suksesit të një studenteje që arriti në Shtetet e Bashkuara vetëm me ëndrrat e veta në xhep dhe me aspiratat arsimdashëse të një familje të spikatur tironse – është për cdo anëtar të komunitetit tonë një pasqyrë frymëzuese. Sot Lindita Çoku gëzon jo vetëm shkallën më të lartë të njohjeve profesionale që dikush mund të ëndërrojë në fushën e kardio-kirurgjisë në Shtetet e Bashkuara. Ajo ja ka dalë me guxim që të themelojë klinikën e saj, të punësojë mjekë dhe specialistë të shërbimeve operatore, të ketë ekipin e saj mbështetës, teknologjitë e fundit të një qëndre të specializuar dhe padyshim assetin më të rëndësishëm në ekonominë e ditëve tona: emrin e mirë e të padiskutueshëm!
Ajo çka Lindita Çoku na sjell sot përpara syve është problematika kryesore dhe nevoja më emergjente për ndryshim në një vend prej të cilit ajo iku, por nuk u shkëput asnjëherë. Shqipëria për fat të keq mbetet një treg i shanseve të prishura dhe të pabarabarta, atdheu i një modeli ku përpjekja e sinqertë njerëzore për dije dhe progress jo vetëm nuk shpërblehet por përbuzet, ku aftësia profesionale vjen e fundit në pyetje dhe ku suksesi udhëhiqet vetëm nga afërsia e dikujt me Politikën e ditës. Fuqia e rritjes së këtij tregu është një monedhë në tregun e sundimit lokal politik, jo një parim i panegociushëm i etikës së menaxhimit të tij. Për këtë arsye – Lindita Çoku është sot për ne më shumë se një histori suksesi: është një mësim prej të ardhmes që i dëshirojmë vendit tonë.
Në kornizën e shanseve të barabarta, mjekja e shquar na ngren përpara syve edhe një element tjetër: barazinë gjinore. Në asnjë shoqëri tjetër, të pazhvilluar, një vajzë, një grua, një femër nuk do të mund të shënonte progresin e merituar – nëse pozitat e saj nuk janë të mbrojtura dhe të respektuara – si nga ligji, ashtu edhe nga mjedisi njerëzor. Në Shqipëri formalisht ne flasim për ligje që garantojnë shanse të barabarta gjinore. Ne madje aplikojmë edhe diskriminim pozitiv duke i emëruar femrat me përqindje të detyrueshme deputete, kryetare bashkish apo drejtuese të çdo lloji. Por në themel – kjo shoqëri është ende larg respektit ndaj femrës, dhe shumë larg garantimit të barazisë së saj në pjesmarrjen për zhvillim. Modeli ynë shoqëror dhe për rrjedhojë edhe shtetëror është përgjithësisht i dhunshëm: ai ngrihet jo mbi barazinë para ligjit, por mbi supremacinë falë rrethanave që deformohen me qëllim. Mbi femrat, falë rolit të tyre shoqëror – kjo dhunë është e shumëfishtë.
Mësimi tjetër i madh që Lindita Çoku na dha në këto ditë të qëndrimit të saj në Shqipëri ishte dashuria e saj për vendin e saj të origjinës, patriotizmi i saj. Modest e kryeultë, i angazhuar dhe konkret – modeli i patriotizmit të kësaj vajze tironse ndërtohet mbi kontributin dhe jo mbi emfazën, mbi punën – jo vec mbi retorikën boshe, mbi ndihmën dhe jo mbi këshillat e atij që di e nuk bën asgjë. E afërt me qytetin e saj të lindjes dhe me historinë e saj familjare – për të cilën është krenare (gjurma e parë e atdhedashurisë së saj) – ajo vendosi të ndihmojë shoqatën Tirana në mënyrë konkrete dhe tejet dinjitoze. E angazhuar me fatet e njerëzve të saj të origjinës – ajo mblodhi në një drekë pune gratë e bordit të shoqatës Tirana dhe foli me to prej afër – si të mund të krijohet një rrjet mbështetës për vajzat dhe gratë që aspirojnë rritjen e tyre – shoqërore dhe ekonomike, si gratë e kryeqytetit shqiptar dhe më gjerë të bëhen më proaktive në mbështetje të aspiratave të tyre të denja. Patriotizmi është një vepër e heshtur dhe kryeultë që punon për vendin – kudo qoftë njeriu. Ky është mësimi i madh i kësaj mjekje të shquar shqiptare me origjinë të ndritshme Tirone.