Një tjetër çudi e Parkut Rinia

Para disa muajsh, kam shkruajtur për punimet e çuditëshme që kryheshin në Parkun Rinia, duke e cilësuar procesin si “gungëzimin” e tij. Unë i përkas asaj kategorie qytetarësh të Tiranës, të cilët jo vetëm janë rritur dhe e kanë shijuar parkun edhe në rininë e tyre, por që mendojnë se ndërhyrja atje duhej të synonte vetëm shtimin e gjelbërimit, të lidhur me barin e pemët dekorative. Mungesa e afishimit të një projekti të dukshëm viziv (sikurse ndodh me pallatet), bëri që fillimisht qytetarët të hamendësonin mbi të ardhmen e parkut, ose të përcillnin punimet me pyetjen “çfarë po bëhet kështu?”. Vetëm kur në sipërfaqen e parkut filluan të mbijnë gungat e para, atëhere kuptuam se kjo sipërfaqe po i nënshtrohej një eksperimentimi pedologjik, nga mëndje të çartura të projektuesve e urbanistëve të Lali Erit (çuditërisht atij i pëlqen të vetëquhet “Lali”, duke u krenuar me prefiksin e një të moshuari, sikurse edhe me pasurimin e CV së tij me shitje fiqsh). Gjithësesi, këto janë tipare të një manjaku “public relations”, të cilin jemi të dënuar ta kemi kryetar Bashkie, por në këtë kuadër, ai s’mund të krijojë një park me fole të izoluara e të rrethuara nga “kodrinat”, duke dhunuar kështu shijet e qytetarëve për hapsira publike të gjelbërimit pa pengesa. Kjo duket si një tentativë për pamje të kufizuar, që me sa duket synon miopinë qytetare ndaj “mrekullive” të Lalit “llërëpërveshur” edhe në dimër. Fill pas inaugurimit të Parkut Rinia në Ditën e Fëmijëve (natyrisht, parku tani ka mbetur për fëmijët, se rinia i refuzon mrekullitë e Lalit dhe ka çarë ferrën jashtë kufijve), mjaftuan 30 minuta reshje shiu dhe në park u shfaq një çudi tjetër e re; pas “gungëzimit”, u shfaq “pellgzimi” apo “kënetëzimi” i parkut. Kjo shënon një arritje të Lalit, i cili jo vetëm kërkon të rivalizojë Venecien, por thonë se do të pasurojë edhe lodrat e fëmijëve me disa varka (qoftë edhe govata) për lundrim. Sa largpamës është Lali… por edhe sa egoist (neve qytetarëve na e ngushton pamjen me gungat e parkut). Madje, neve që dikur kemi dashuruar në stolat e parkut, tani mund të gjuajmë rosa, apo të peshkojmë në kënetat e Lalit. Personalisht, nuk pres asgjë të mirë për Tiranën nga një njeri mizantrop, skuthllëku i të cilit është etaruar gjatë shitjes së fiqve, duke ta hedhur në kandar për dy lekë më shumë (tani nuk bëhet fjalë për dy lekë…). Nga një njeri me etje patologjike për të shembur ikonën kulturore, urbanistike e historike të qytetit (teatrin), nuk pres asgjë të mirë, përkundrazi, pres gjithçka të keqe për shkatërrimin e vlerave qytetare tiranase. Por ai nuk ka faj, se në fund të fundit, në Tiranë ai erdhi me gomar dhe rrugëtimi i gjatë prej Urës Vajgurore deri tek ajo e Beshirëve, të imponon shkëmbim kulturash…
R.K.