• Phone: +355692037057
  • Email: [email protected]
  • Address: Rruga e Saraçëve (Tek Selvia) Tiranë, Albania

Opozita Duhet Të Fillojë Të Flasë Qartë

Nga Arben Tafaj

Në mënyrën e veprimit të saj politik, opozita jo gjithmonë ka qenë në kohë për aksionet që publiku priste prej saj. Por të paktën ajo është shfaqur e bashkuar dhe ka ruajtur një harmoni të mirë formale mes forcave politike – të mëdha e të vogla. Ky është casti që Opozita të nisë të flasë me zë të lartë – me të gjithë zërat e saj përbërës dhe në mënyrën më të qartë të mundshme- mbi rrugëzgjidhjet dhe vizionin e ringritjes së vendit.

Ndërsa ende nuk ka një formulë sipas së cilës Shqipëria të nisë reformën e domosdoshme zgjedhore, ndërsa ende nuk ka një qëndrim të unifikuar qoftë mes palëve kundërshtare – ashtu edhe mes aleatëve në opozitë – se cila do të jetë rruga për të filluar zgjidhjen e krizës, është casti që forcat opozitare të nisin seicila aksionin e vet politik, për të qartësuar publikun si e mendojnë ato realizimin e synimeve të tyre kryesore.

Informimi i publikut me prioritetet e grupeve politike në opozitë, sqarimi i njerëzve sesi do të arrihen këto objektiva dhe prezantimi i njerëzve që do i sjellin ato në jetë janë hapi i parë i opozitës për të gjeneruar mbështetje publike.

Rrëzimi i Ramës është pasojë. Motivi i opozitës është shpëtimi i shqiptarëve nga një juntë autokrate dhe kleptokrate.

Nuk është Rama arsyeja pse vendi ka opozitë. Vendi ka opozitë sepse ai aspiron për demokraci reale – dhe opozita është garante e saj. Nuancat e partive politike të opozitës – përballë një shumice anonime Pink – janë gjithashtu një shenjë se demokracia në këtë vend ka shanse dhe gëzon mbrojtësit e saj.

Rezistenca e Ramës për të mbajtur në zyra këtë juntë autokrate – do të prodhojë pashmangshëm shtysat për unifikim të thellë të opozitës, duke cuar drejt humbjes së identitetit të anëtarëve të saj. Dhe kjo nuk i shërben demokracisë. Kjo nuk i shërben as opozitës.

Ky është momenti – kur përpara krizës që do të prodhojë presioni për zgjedhje të parakohshme – partitë e opozitës t’i tregojnë publikut se për cfarë arsyeje i kërkojnë ato zgjedhje, cfarë synon opozita të bëjë me një fitore politike dhe kush janë përparësitë më të larta të opozitës për vendin.

Kjo duhet bërë jo me retorika elektorale, por me fakte dhe detaje, në mënyrë të afërt e të besueshme, sic flet vëllai me vëllanë – në kushtet e qytetit/fshatit të pushtuar nga e keqja.

Ky është momenti kur përballë megallomanisë së një qeverie të dështuar, opozita të ndërtojë besueshmëri, komunikim, marrëdhënie të afërta publike dhe mbështetje popullore për synimet e saj. Kauzat nuk janë dot vetëm të sajat: ato i përkasin qytetarëve.