• Phone: +355692037057
  • Email: [email protected]
  • Address: Rruga e Saraçëve (Tek Selvia) Tiranë, Albania

POEMË PIKËLLIMI PËR DURRËSIN

POEMË PIKËLLIMI PËR DURRËSIN
(Duke ndjekur kronikat televizive që vinin nga Durrësi)

Nga Bedri Alimehmeti

Bosh
Fare, fare bosh.
Asnjë lëvizje
Asgjë nuk pipëtin.
Shkretania
Si majëza e një thike
Pamëshirshmërisht
Më ngulet në kraharor.
Gjallëria mbrëmësore e Durrësit
Që më 26 nëntor ka shteruar.
Piskamë dhimbjeje
Trishtimi më derdhet
Mbi asfaltin e lagur
Të shetitores “Taulantia”,
Ku rrallë fare, fare rrallë
Shkel ndonjë këmbë njeriu.
Dhe palmat si ushtarë
Që dorëzojnë armët
Përpara fillimit
Të një beteje të pabarabartë
Përdhe i kanë lëshuar degët
Fare, fare mbi dhe,
aty përqark monumentit të rezistencës.
Dhe fari në hyrje të portit
Më shumë sikur psherëtin
Se sa ndrin.
Më saktë
Fare, fare nuk rrezëtin.
Tallaz i dallgëve të Adriatikut
Teksa rreh me rrapëllimë bregun
(më ndje Shazie Dollaku,
s’dua ta dëgjoj tani “Deti tallaz-tallaz”)
Më kot mundohet t’i rikthej
Gjallërin e munguar
Mbrëmjes durrsake.
Më tej mbi kurrizin e qulltë
Të rrugës “Tregtare”
Shetit vetëm
Fare, fare vetëm
Erë e vjeshtës së tretë.

Nuk dua të të shoh
Nuk dua të të gjej
Kurrë më
Fare, fare kurrë më Durrësi im
Kështu si sonte.
Dua të jem në stadium si dikur
Të admiroj Tutin, Mir Himën,
Shyq Ballgjinin e Orest Gramin.
Mbi parketin e pallatit të sportit
Të gjej Nikon, Ladin, Nysretin, Tushin…
Gjithë cunat e profesor Dhimitraqit.
Në ring të ngjitet
Ymer Reci me Martin Cetën,
Fag Allushi me Selim Bardhetin.
Tek rrjetë e volejbollit të ngrihen në bllok
Napolon Llalla e Xon Njala.
Nëpër xadrat e pishinës të shkasin
Bon Kadiu, Kitra e Niko Kurani.
Lajmet sportive
Të na vijnë si gjithnjë të saktë
E të përpiktë nga Bujar Qesja.
Në skenën e “Aleksandër Moisiut”
Të mrekullohem nga loja
Xhojës, Urumit, Hebës, Burdës, Kabashit, Tafajt…
Të gajasem me humorin
e Fadil Hasës, Aishe Starit e Rrem Hoxhës.
“Të falem i bukuri Durrës…”
Të vallëzoj me magjin e tingujve
Të muzikës së Enver Marës
Nën interpretimin brilant
të Qemal Kërtushës.
Të ndjej zërin e paharruar të Taraneshit:
“Ja shiu pejk, pejk, pejk…”
Po edhe Migën, Jolandën, Morenën
Dhe Zijain me “Këngën e Marinarit”.

Gjithcka dua të gjej sërish aty
Bashkë me ty, me ty
I bukuri Durrësi im.
Po pas kësaj thua
Profesor Gjergj Vlashi
Do të shkruaj një tjetër roman
Për Durrësin e boshatisur.
Dhe në fund
Fare, fare në fund
Teksa ngrohtësi e rrezeve diellore
Të na ngroh shpirtrat e acartë
“Ave Maria” nga Shubert,
Nën harkun e Olen Cezarit
Të jehoj në mes të sheshit.
TE DEUM PER DURAZZO.

29.11.2019 “Darios-Bar”

 

PAMUNDESI

Sa i rëndë
ky thes
që kam mbi shpatulla!
Thua brenda në të
ngjeshur të jetė i gjithi mali Dajtit!
Kaq shumë
peshon trishtimi o Zot!
Rrugëve të tua
e mblodha i shtrenjti qyteti im.
Të ta hiqja doja
të ta flakja tutje
por tani nuk mundem.
Jo ta mbaj
por as nuk è ngre dot.