• Phone: +355692037057
  • Email: [email protected]
  • Address: Rruga e Saraçëve (Tek Selvia) Tiranë, Albania

POLITIKA NE KODET E KOMUNIKIMIT MAFIOZ

Nga Arben Tafaj

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj deklaroi përpara dy ditësh në këshillin bashkiak të Tiranës se teatri kombëtar do të shembet dhe se projekti do të vijojë pa komplikacione. Deklarata e tij luftënxitëse ngjan krejt e pavend po të kihet parasysh momenti kur ajo bëhet: vendi sapo ka humbur shansin për të hapur negociatat me BE-në; palët politike janë angazhuar përpara faktorit ndërkombëtar të realizojnë një reformë zgjedhore brenda fundit të vitit; dhe sot qeveria e Rilindjes ka 9 pragje kushtesh për të kapërcyer që të pranohet përsëri si palë me të drejtë fjale në mjedisin europian.
Atëherë cila është arsyeja pse z. Veliaj kërkon sherr me opozitën dhe me publikun shqiptar dhe i do ata në rrugë pikërisht tani?
Gjykimi i këtij akti kërkon një seri vlerësimesh – edhe pse ai mbetet në themel një akt komunikimi.
Si rregull shteti komunikon me vendime dhe me shkresa. Deklarata destruktive e Veliajt nuk ishte një intervistë sa për të kaluar rradhën me gazetën Paloma. Ai po fliste përpara një Forumi vendim-marrës. Publiku i gjerë do ta kuptonte frazën e z. Veliaj nëse ai i thoshte Këshillit Bashkiak se zyra e tij i kishte nisur një kërkesë me shkrim një tjetër enti shtetëror për shembjen e teatrit kombëtar brenda datës x. Por Veliaj nuk e tha këtë. Në themel ai nuk shpalli asgjë: asgjë të re. Ai e përdori këshillin bashkiak si pasqyrë për t’i thënë publikut – bëhu gati të dalësh në rrugë!
Teatri është shndërruar në betejën finale për dinjitet qytetar mes një grupi relativisht të izoluar artistësh e qytetarësh dhe një grupi shumë të ngushtë mafioz që drejton qeverinë dhe bashkinë e Tiranës. Opozita ju bashkua kësaj beteje morale dhe Basha nënshkroi me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit një pakt. Prej këtij casti – për arsye të kuptueshme, cdo hap kundër Teatrit është një aksion kundër opozitës, i cili zgjon protestën e saj. Dhe meqë opozita po provon se e ka seriozisht vullnetin për të përmbushur në tryezë detyrimet e saj për reformën zgjedhore – Veliaj për llogari të Ramës po synon ta nxjerrë opozitën në rrugë, për ta akuzuar atë më pas si prishëse të shanseve për dialogun. Rama nuk mund të negociojë me dikë që proteston kundër atij vetë në shesh.
Veprimi i Veliajt është një maskaradë gjysëm teatrale, gjysëm politike: Nëse nuk del në protestë për teatrin, opozita është e pabesueshme në kauzat e saj. Ajo nuk i mban premtimet e saj. Nëse opozita del në protestë, ajo është e pabesueshme në shprehjen e vullnetit për dialog politik. Ajo nuk e do reformën zgjedhore… Dhe reformë zgjedhore e miratuar do të thotë datë e zgjedhjeve të reja.
Rama e di këtë! Ai prandaj synon ose ta shtrembërojë krejt procesin për ta bërë të pavlefshëm, ose ta pengojë atë në tërësi në cdo hap para.
Reformë zgjedhore e miratuar do të thotë ikje e Ramës nga cdo funksion publik. Kjo shpjegon arsyet e provokimit publik të Erion Velisë. Zhurma e akuzave dhe lufta me duar bosh, protestat e një opozite jashtë institucioneve dhe ngjarjet dytësore që eklipsojnë vëmendjen publike nga zemra e krizës e ndihmojnë Ramën të rrijë ku është dhe të cojë përpara axhendën e tij të grabitjes kombëtare.
Padyshim mesazhi i Veliajt kishte edhe një komponente tjetër – që ai padashje e bëri të qartë kur përmendi mënyrën si do të prishej teatri: “ditën për diell”…
Ata që e kanë paralajmeruar Ramën dhe Veliajn se po kryejnë një akt okult të grabitjes së pronës publike janë partnerët europianë të vendit. Në njëfarë mënyrë, duke pasur në xhep një ligj të posatshëm për një vjedhje jo më pak se 27 – 35 miljon Euro ( vlera ku luhatet trualli publik që Rama /Veliaj duan të grabisin për një projekt privat), Veliaj nuk ka nevojë të përdorë asnjë term justifikues. Grabitja e tij dhe e Ramës tash ka vulën e parlamentit. Por në fakt Veliaj nuk u justifikua: ai thjesht qetësoi ndërkombëtarët “e tij” se procesi i nisur – nën drejtimin e tij – do të ndodhë ditën për diell.
Mesazhi i panevojshëm i kryetarit të bashkisë se kjo maskaradë do të ndodhë patjetër – në fakt i drejtohej gjithashtu edhe dikujt tjetër. Në këtë grup bëjnë pjesë ata që ndoshta kishin nisur të dyshonin se projekti befas kishte ngecur dhe se ata nuk do të shpërbleheshin siç u ishte premtuar. Kush janë këta?!
Çim Fusha? Jooo. Çim Fusha i di punët përpara Erionit; Rama më parë i beson Fushës sesa Veliajt. Investitorët e vërtetë të projektit? Para’-mbajtësit e padukshëm që nuk shfaqen dot, por që do të lajnë paratë përmes këtij operacioni? (Lulzim Basha ka folur me zë të lartë për synimin që projekti ka për të pastruar para’ kriminale)… Apo ndonjë grup tjetër – vendas ose i huaj – që ndan interesa në këtë grabitje të pronës publike dhe në këtë projekt imobiliar?
Këtë Veliaj as nuk e tha, as pritet ta thotë… Dikush i kishte sugjeruar atij të dilte dhe të fliste për Teatrin që do të shëmbet – ditën për diell… si një hap i panegociushëm. Ky akt komunikimi rrezikon të tërheqë në rrugën e protestive opozitën dhe kjo shkatërron shanset për një reformë zgjedhore brenda afateve të kërkuara nga z. Palmer (fundi i vitit). Pa një reformë zgjedhore nuk ka zgjedhje të reja. Dhe kësisoj Rama mbetet në detyrë.
Me këtë rast, ai vijon grabitjen e vendit.
Koha do të tregojë se çfarë do të bëjë cilado prej palëve. Por komunikimi politik në Shqipëri ka rrëshqitur tashmë në një format tërësisht mafioz – që tregon se të paktën në njërin krah ajo që po flet është MAFIA.