TITULLI I PROJEKTIT:

“STUDIMI DHE DOKUMENTIMI I HISTORISË GJYSMËSHEKULLORE TË TIRANËS KRYEQYTET NËN DIKTATURË. SHËNJIMI DHE RUAJTJA E VENDEVE TË KUJTESËS.”

Aplikues:

Shoqata “Tirana” në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me AIDSSH, UET dhe faqen “Tirona”

shoqata logo
  • Qëllimi i projektit:

Qëllimi i projektit është hedhja dritë në historinë gjysmëshekullore të Tiranës kryeqytet në diktaturë, nëpërmjet:

-studimit e hulumtimit në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit; (afatshkurtër)

-mbledhjes së dëshmive të individëve dhe familjarëve që i përjetuan ndryshimet në vetë të parë; (afatshkurtër)

-rindërtimit të një narrative të re, pas përqasjes e grumbullimit të të dhënave për figura e personalitete të njohur të Tiranës, të survejuar, përndjekur e të përbaltur në diktaturë. (afatgjatë)

-evidentimit, përcaktimit dhe ruajtjes së vendeve të kujtesës, emërtimi i tyre, vënia e pllakateve, tabelave, ngritja e memorialeve për nderimin e viktimave të diktaturës komuniste.

Kohëzgjatja e projektit: Finalizohet në Qershor 2021, pas aktiviteteve pararendëse në Shtator, Tetor e Nëntor.

Publikimi i kërkimeve, studimeve dhe profileve të ndërtuara të personaliteteve: Qershor 2021, pas mbledhjes e redaktimit shkencor, në një botim të plotë e serioz.

SHTEPIA
  • Përshkrim i shkurtër i projektit

Rezoluta e Parlamentit Europian të shtatorit 2019 mbi rëndësinë e kujtesës së përbashkët për të ardhmen e Europës, shpreh respektin e thellë për secilën viktimë të regjimeve totalitare dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe aktorëve të BE-së të sigurohen që krimet e tmerrshme totalitare kundër njerëzimit dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut të përkujtohen; thekson rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtimeve të së kaluarës, se nuk mund të ketë pajtim pa përkujtimin, dhe rithekson qëndrimin e saj unifikues kundër totalitarizmit, pavarësisht prejardhjes ideologjike.

Po ashtu, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut njohin barazinë para ligjit dhe para gjykatave dhe të drejtat për gjykim të drejtë, për lirinë, sigurinë e personit dhe të pronës, si dhe lirinë nga diskriminimi, mbrojtja e të cilave është element kyç në forcimin e sundimit të ligjit. Objektivi 16 i Zhvillimit të Qëndrueshëm të Programit të Zhvillimit të OKB 2030 përcakton qëllimet e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse, aksesin në drejtësi dhe institucionet të përgjegjshme e gjithëpërfshirëse, si thelbësore për zhvillimin.

Konteksti: Shqipëria ka 108 vite shtet i pavarur, ndër të cilat gati gjysmëshekulli është kaluar në diktaturë. Historia e Tiranës kryeqytet, familjeve të mëdha e të mirënjohura, intelektualëve që kontribuan në jetën politike, shoqërore, kulturore e edukative të Tiranës e mbarë Shqipërisë mbetet ende e panjohur. Një pjesë e mirë e tyre u shpronësuan, iu konfiskua pasuria, u dënuan dhe përndoqën politikisht, u nxorën nga shtëpitë autoktone dhe realiteti i ri mbishtresoi narrativa që e fshin apo tjetërsuan fatin e personaliteteve apo familjeve të tilla.

Tiranasit e vjetër dhe historia e tyre e qytetarisë, rezistencës, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor synon të zbulohet me këtë nismë, nëpërmjet bashkëpunimit të disa aktorëve, shoqatës “Tirana”, Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Universitetit Europian të Tiranës, dhe faqes interaktive “Tirona” me 66 mijë ndjekës.

Koordinimi i punës mes të gjithë aktorëve të përfshirë ka si objektiv të:

-Zbulojë historitë e pathëna të përndjekjes të familjeve tiranase gjatë diktaturës, nëpërmjet identifikimit, hulumtimit të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

-Mbledhë dëshmi të të mbijetuarve të ngjarjeve të spikatura historike, të cilat do të ruhen në arkiv digjital për zbërthimin e historisë 50-vjeçare të përndjekjes.

-Ndërtojë profilet e personaliteteve të Tiranës, të spikatur, të nëpërkëmbur, të survejuar, në dritën e të dhënave të reja,

-Studiojë materialet në dispozicion për ndërtimin e një narrative të re, që bazuar në mbledhje, hulumtim, përqasje e krahasim të dhënash, duke paraqitur kohështrirjen kronologjike dhe prerjen horizontale shoqërore, politike e kulturore të historisë së kryeqytetit, deri në fillim të viteve ‘90.

-Evidentojë, përcaktojëdhe kërkojë marrjen në mbrojtje të vendeve të kujtesës.

Rezultatet e pritshme janë:

-Ekspozita arkivore të përndjekjes, me dokumente autentike të ish-Sigurimit të Shtetit, të deklasifikuara dhe në dispozicion të qytetarëve dhe të interesuarve.

-Ekspozitë e profileve të intelektualëve, personaliteteve të Tiranës, me narrativë të re, bazuar në dokumente të panjohura më herët dhe dëshmi. (me panele, video dhe instalacion)

-Konfererencë/sesion shkencor me punimet e studiuesve dhe praninë e të rinjve e grupeve të interesit.

-Pasurim i faqes së profileve www.dosjet.gov.al me profilet e tiranasve.

-Botim i plotë i studimeve dhe dëshmive mbi historinë e Tiranës, të realizuara në kuadër të projektit, në gjuhën shqipe dhe angleze.

-Vënia e pllakateve, tabelave, ngritja e memorialeve për nderimin e viktimave të diktaturës komuniste.

  • Bashkëpunimi me institucionet vendore dhe qendrore

Shoqata “Tirana” ka një eksperiencë mjaft pozitive në bashkëpunimin me Institucionet Vendore e Qëndrore, të cilat kanë mbështetur aktivitetet tona edhe financiarisht në vite. Kjo traditë bashkëpunimi e cila ka filluar që në vitet e para të egzistencës së Shoqatës dhe vazhdon edhe sot. Kjo traditë bashkëpunimi është ripërtërirë vazhdimisht, falë bashkëpunimit të mirë që Shoqata Tirana, si një organizatë jopolitike me karakter lokal ka krijuar me qeverisjen lokale të Tiranës në Vite. Ky bashkëpunim, krahas impaktit cilësor në realizimin e aktiviteteteve tëë ndryshme, ka patur edhe një impakt të veçantë në perceptimin e tij në raportin e marrëdhënieve tona me pushtetin vendor dhe qëndror.

Pjesëmarrja e Autoriteve drejtuese ne nivel vendor dhe qëndror, duke filluar që nga Kreu i Shtetit e deri tek Drejtuesit e lartë vendore, si dhe mesazhet e ngrohta qytetare të lëshuara prej tyre në aktivitete të ndryshme, kanë sjellë në vëmendje të qytetarëve kujdesin që institucionet e tyre përfaqësuese deri në nivelin më të lartë duhet të tregojnë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave dhe të kulturës së tyre qytetare si dhe të ndriçimit të dritëhijeve që historia e kryeqytetit mbart gjatë sistemeve që ka kaluar shoqëria jonë. Ky projekt, që vjen si një qasje e re e Shoqatës “Tirana”, do të shërbejë në ndërtimin e një narrative të ndryhshme si pasojë e përqasjes dhe grumbullimit të të dhënave për figura e personalitete të njohura të Tiranës të survejuar, përndjekur dhe të përbaltur në diktaturë gjatë këtij 50 vjeçari të fundit.

  • VIZIBILITETI

Publikimi i hulumtimeve, studimeve të zgjeruara dhe teksteve përmbledhëse për përdorim divulgativ do të paraqiten në aktivitetet e shoqatës “Tirana”, me partnerë, AIDSSH, UET dhe faqen Tirona, do të përmenden në faqet e internetit dhe mediat sociale të institucioneve dhe shoqatave të mësipërme, si bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës; një kontribut që ndihmon në reflektimin e publikut dhe inkurajon diskutim të hapur për të kaluarën komuniste dhe pasojat e saj.

Shoqata Tirana, UETdhe AIDSSH do t’i kushtojnë rëndësi komunikimit dhe vizibilitetit gjatë zbatimit të projektit,do të jenë përgjegjës për zbatimin e veprimtarive të komunikimit, të cilat do të financohen nga Bashkia, komunikim që do të forcojë vetëdijen e përgjithshme të publikut për vlerën e shtuar dhe ndikimin e mbështetjes financiare të Bashkisë Tiranë. Partnerët në projekt planifikojnë të prodhojnë posterë, banerë dhe broshura që do të shpërndahen në aktivitetet përkatëse, si dhe të krijojnë materiale mediatike në internet, për të informuar qytetarët shqiptarë dhe një audiencë më të gjerë ndërkombëtare për aktivitetet.

  • Përfituesit direktë dhe indirektë të projektit

Përfitues i projektit është publiku në masën më të gjerë të mundshme; të rinjtë e shkollave të mesme dhe universiteteve; grupet e interesit, qytetarë të Tiranës, autoktonë dhe të ardhur; të mbijetuar të krimeve komuniste dhe anëtarëtë familjevetë tyre, familjet tiranase; historianë, studiues, akademikë; profesionistë të artit, kulturës dhe mediave që do të përfitojnë nga këto burime, elektronike ose fizike, në kuadër të drejtësisë tranzicionale dhe ngjarjeve përkujtimore.

Shoqata “Tirana” ndërvepron me një komunitet të gjerë në Tiranë dhe mbarë globin, të tiranasve dhe pasardhësve të tyre.

Faqja “Tirona” me 66 mijë ndjekës komunikon përditë me qytetarët, duke e kthyer vëmendjen te historia, e shkuara dhe e sotmja e kryeqytetit.

Universiteti Europian i Tiranës, me profesorët, hulumtuesit, studiuesit dhe studentët e vet përfshin grupe shoqërore të sferës akademike dhe të studimeve.

AIDSSH, me objektivat strategjikë dhe metodologjinë e përfshirjes gjeografike përfshin qytetarët e djeshëm e të sotëm të Tiranës, të shënjestruarit e diktaturës, studiuesit dhe hulumtuesit e historisë bashkëkohore të kryeqytetit e përmes saj, të shtetit shqiptar dhe individët, familjet, personalitetet e trashëgimtarët e tyre të survejuar, përndjekur e goditur nga sistemi komunist.

  • Të rejat që sjell ky projekt

Hedhja dritë në materiale deri tani të klasifikuara, studimi dhe hulumtimi i detajuar i dokumenteve nga studiues të fushës, të interesuar të drejtpërdrejtë, mbledhja e dëshmive dhe narrativa e re e 50 viteve të Tiranës kryeqytet në diktaturë.

Nderimi i sakrificës dhe dinjitetit njerëzor në dy memoriale për përkujtimin e viktimave të diktaturës, në Mënik, Pezë-Helmës (ku u ekzekutuan 22 të pafajshëm për “bombën” në ambasadën sovjetike) dhe Tiranë (në nivel kombëtar).

QYTETARE TE TIRANES, VIKTIMA TE TERRORIT KOMUNIST

OSMAN ABDULLA KAZAZI

Dëshira e përhershme e tiranasve, shkollimi i fëmijëve të tyre, u shfaq dukshëm edhe te Abdulla Kazazi, i ati i pesë vajzave dhe i një djali të vetëm, Osmanit, të lindur në Tiranë më 9-7-1917, që, më vonë, do të kishte një jetë të rëndë e të dhimbshme. Falë rezultateve shumë të mira në krejt arsimin fillor e të mesëm të kryer përkatësisht në Tiranë e në Shkodër; në shtator të vitit 1939, ai nisi arsimin e lartë në Fakultetin e Farmacisë të Universitetit të mirënjohur “La Sapienza” të Romës”.

Studimet i ndërpreu pas tre vjetësh të plota e të rregullta. Që në Shqipëri, duke qenë i formuar me  ndjenjat nacionaliste, ai ishte kundërshtar i pushtimit fashist. Me këto pikëpamje, dhe njëherësh midis studentëve e të internuarve shqiptarë e në kontakt me antifashistë italianë, Osmani mbeti gjithnjë aktiv. Prej vitit 1942, kur për këto rrethana, vendosi të kthehet në Atdhe, ai ndahet përfundimisht nga shkollimi i nisur. Ndjenjat kombëtare ishin më të forta se formimi intelektual që kishte zgjedhur me aq dëshirë.

Ky qytetar i shkolluar, patriot e republikan, si pjesë e Organizatës të Ballit Kombëtar, duke u aktivizuar veçanërisht në shtypin e saj, iu përkushtua totalisht rezistencës dhe luftës kundër pushtuesve fashistë.

Pas luftës, me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste, për të, filloi kalvari i vuajtjeve. Ai u burgos dhe u internua për vite të pafund; megjithate, me një stoicizëm të pashoq, i qëndroi përherë besnik bindjeve të tij. Po në këtë shkallë, përballoi edhe të gjitha vuajtjet e pashoqe fizike dhe morale të shkaktuara ndaj tij me akuza thjesht politike. Si askush tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por me siguri edhe më gjerë, prej vitit 1944 e deri më 1964, ai kreu 15 vjet burg dhe 5 vjet internim dhe pas vetëm dy vjet lirie (1964-1966), deri

më 1986, atë e pritën edhe 20 vite të tjera burgimi. Megjithatë Osmani mbeti përherë i fortë. Krahas frymës qytetare, humanizmit, kulturës, ndershmërisë dhe devotshmërisë që e karakterizonte, ai ishte njeriu që mëshironte rezistencën karshi të keqes. Me këto tregues të tij, pas vitit 1990, kur u përmbys

sistemi i egër komunist, ai zgjidhet kryetar i parë i Shoqatës së të përndjekurve politikë të Shqipërisë, ku bënin pjesë njerëz të traumatizuar shpirtërisht e fizikisht, të poshtëruar, të lodhur, të uritur e të pashkolluar dhe që kërkonin qetësinë e mohuar, shpirtërore e materiale. Të shumtët e tyre kishin emërtesa fyese dhe denigruese: ballista, zogista, reaksionarë e deri revizionistë. Falë ndershmërisë dhe nivelit intelektual të tij, këtë barrë të rëndë për supet e këtij njeriu në moshë mbi 70 vjeçare e të rraskapitur nga e kaluara e hidhur, ai e përballoi me ndershmëri e dinjitet.

Në mungesë të infrastrukturës së nevojshme, shtëpia e tij e vjetër dykatëshe e bujare dhe e ndodhur në qendër të Tiranës, u kthye në seli të shoqatës. Astrit Jegeni, në cilësinë e dëshmitarit, tregon se, njerëzit që u pritën atje ishin të pambarim. E, prap se prap, shtëpia i pranoi të gjithë, i mirëpriti të gjithë dhe i dha shpresë të gjithëve, pavarësisht se vinin nga jugu e nga veriu dhe se hallet e tyre ishin më të shumta se vetë ato. Ata fillonin nga kërkesat për ndihma ekonomike e deri te gjetja e burrave të grave dhe e

baballarëve të fëmijëve, të zhdukur prej kohësh. Mendësia çoroditëse e këtyre njerëzve “të dehur”, nga liria dhe veprimet e tyre instiktive, tregonin dukshëm një popull që e dinte se ç’duhet bërë por nuk e dinte se shpëtimi i tyre nuk mund të ishte thjesht Osmani, edhe pse fisnik, i urtë e qytetar si ata, bashkëvuajtës si ata dhe i traumatizuar po si ata. Ai dhe shokët e tij, gjithnjë në krah, bënë të pamundurën, që nga arsimimi i fëmijëve e deri te ndihmat ekonomike e humanitare, që erdhën kryesisht nga shqiptarët e arratisur jashtë Atdheut nga përndjekjet komuniste si dhe nga fondacionet e huaja e organizmat ndërkombëtare. Përveç shqiptarëve të shumtë që jetojnë kudo në botë e të ardhur nga jashtë Shqipërisë, atë shtëpi e vizituan edhe personalitetet më të shquara të Kosovës që ai e deshte aq shumë. Të gjithë ata, duke vlerësuar Osmanin, shprehnin mendimet dhe pikëpamjet e tyre mbi çështjet e  rëndësishme madhore e kombëtare të Atdheut dhe për problemet mbi mirëadministrimin e lirisë së  fituar.

Osman Kazazi vdiq më 3-3-1999. Me pjesëmarrjen e shumtë në varrimin e tij, bashkatdhetarët dhe bashkëqytetarët e tij respektuan vlerat e sakrificës, ato morale, atdhetare e kulturore. Ky qytetar tiranas do të kujtohet gjithnjë si njeriu i thjeshtë dhe idealisti që adhuronte virtytet kombëtare e që i qëndroi besnik atyre. Me këto bindje, jetën e tij dhe krejt vuajtje, ja fali Atdheut, prej të cilit nuk kërkoi asgjë për interesa personale.

Për të gjitha këto kontribute të dhëna prej tij, Osmani është vlerësuar me: Medaljen e artë “Pishtar i demokracisë” (1992), nga Presidenti i Republikës, me motivacionin: “I fali Atdheut një jetë plot vuajtje e sakrifica bashkë me familjen. Duke spikatur si figurë e madhërishme e martirit dhe njeriut që plot humanizëm e atdhedashuri u shqua si vëlla dhe si prijës i dhembshur i bashkëvuajtësve të përndjekur, edhe tani vazhdon i palodhur në përmbushjen e qëllimit të lartë fisnik, integrimit të tyre në shoqërinë e re demokratike e të lirë shqiptare”; Titullin “Qytetar nderi i Shkodrës” (1997), nga Këshilli Bashkiak i qytetit; Titullin

Qytetar nderi i Tiranës” (1998), nga Këshilli Bashkiak i qytetit; Medaljen e Artë “Joannes Pavlvs PP II”. Ai është vlerësuar edhe nga Republika e Iranit dhe nga qyteti i Veronës në Itali.

Ngritja e një busti në nderim të kësaj figure të veçantë dhe simbol i vuajtjeve të shkaktuara nga diktatura, e pikërisht në afërsi të shtëpisë së tij, është më e pakta që mund të bëhej për këtë njeri që do të mbesë  gjithnjë i paharruar.

ALI BEGEJA

Ali Begeja ka lindur më 1 janar të vitit 1888 në Tiranë, ku për- fundoi edhe shkollën qytetëse. Pikëpamjet e tij patriotike u shfaqën shumë shpejt. Në moshën 20-vjeçare, ai bëhet pjesë e komisionit për hartimin e programit për përhapjen e gjuhës shqipe të drejtuar nga Refik Toptani. Dy vjet më vonë, më 1910, ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e tretë të Manastirit.
I bindur në pikëpamjet e tij atdhetare dhe i frymëzuar nga ideali për një Shqipëri të pavarur, demokratike dhe të qytetëruar euro- piane, nga një grup intelektualësh të qytetit në vitin 1919, u formua shoqata “Drita”. Osman Myderrizi u zgjodh kryetar i saj; ndërsa Aliu, sekretar. Po më 1919, një grup atdhetarësh, ndër të cilët edhe vetë Ali Begeja, bënë një përpjekje të dytë. Me në krye Ismail Ndroqin ngritën një komision që do të thërriste një kuvend kombëtar, me delegatë nga Tirana, Elbasani, Kavaja, Peqini, Lushnja, Kruja, Shijaku e Durrësi, për të gjykuar mbi situatën kaotike ku kishte hyrë Shqipëria. Kjo shoqatë do të përfaqësohej më vonë edhe në Kongresin e Lushnjes.
Aliu u shqua edhe në veprimtaritë shoqërore. Si arsimdashës, ai ishte gjithnjë i pranishëm në nismat për kapërcimin e vështirësive që kalonte ky sektor e veçanërisht në vitin 1923. Patriotë tiranas dhe të tjerë, figura të njohura, me kulturë e mjaft të respektuar organizuan më 1-9 shkurt Kongresin arsimor të Tiranës; qëllimi i të cilit ishte përmirë- simi i gjendjes së shkollave të këtij qarku, si dhe ndërtimi i disa shko- llave të reja sidomos nëpër fshatra. Aliut ju ngarkua detyra e kryetarit të komisionit të konferencave dhe i kurseve kundër analfabetizmit për moshat e rritura. Ky komision u ngarkua edhe për hapjen e një kursi tjetër e të veçantë, atij për mësimin e gjuhës frenge.
Pjesëmarrjen e hershme në politikë, përveç bindjeve atdhetare e ndihmoi edhe kultura e tij. Megjithëse i padiplomuar në ndonjë shkollë të lartë, Aliu ushtronte zyrtarisht të drejtën e juristit. Fillimisht kreu detyrën e gjykatësit paqtues; ndërsa më vonë, në përputhje me një ligj të vitit 1931, hapi me emrin e tij edhe një zyrë avokatore. Këtë profe- sion, ai e vazhdoi edhe pas mbarimit të luftës, më 1944, madje deri më 1947, kur u arrestua nga rregjimi komunist. Edhe gjatë periudhës 1941- 1944, kur punonte me profesionin e avokatit, si një nacionalist i nder-

shëm e demokrat, ai u përpoq për bashkimin e të gjithë forcave politike shqiptare, për luftën kundër pushtuesve të huaj.
Në mars të vitit 1914, së bashku me një grup patriotësh tiranas, ai mbështeti qeverinë e Princ Wiedit, si e vetmja mënyrë për njohjen e Shqipërisë shtet më vete. Për aktivitetin e tij, ai e kishte dekoruar Aliun me medaljen “Besë e Bashkim”, dokument që ruhet ende nga familja.
Me propozimin e Shoqatës “Djelmënia e Tiranës” dërguar Par- tisë Popullore, më 27 dhjetor 1923, Aliu arriti të zgjidhet deputet i Pre- fekturës së Durrësit në organin më të lartë legjislativ, në Kuvendin Kushtetues (dihet se, atëherë, ajo përfaqësonte edhe Tiranën), siç quhesh atëherë Parlamenti i Shqipërisë, detyrë të cilën e përballoi me sukses. Në këtë Legjislaturë që do të përcaktonte formën e rregjimit politik e që do të shpallte anmistinë e përgjithëshme etj., ishte deputet edhe Ahmet Zogu, ndërsa nga Tirana, Zija e Seit Toptani, Osman Myderrizi e të tjerë. Ali Begeja u zgjodh anëtar i dy komisioneve: atij të shqyrtimit të letërpërfaqësimeve (të mandateve) të deputetëve dhe atij të politikës së jashtme. Në gjysmën e dytë të vitit 1924, bëhet edhe Kryetar i Dhomës së Tregëtisë për Tiranën. Pas mbarimit të mandatit të deputetit, është Kryetar i Bashkisë së Tiranës për periudhën 1922-1923; ku, duke qenë dhe më i riu prej tyre, renditet i katërti në detyrë (pas Zyber Hallullit, Servet Libohovës e Ismail Ndroqit).
Aliu i rikthehet Parlamentit më 31 janar 1937, në legjislaturën III të tij, të cilësuar edhe si “Parlamenti reformator”, me që ligjet e dala nga ai ishin në themel të orientimit të Shqipërisë drejt modernizimit eu- ropian. Këtë mandat, ai e përsëriti më 1939 në Asamblenë Kushtetuese.
Mbarimi i Luftës së dytë e gjen Aliun në Tiranë dhe po me detyrën e avokatit, të cilën e vazhdoi deri kur e arrestojnë në janar të vitit 1947. Në qelitë e hetuesisë, i akuzuar si bashkëpuntor në krijimin e Organizatës për përmbysjen e sistemit komunist, ai iu nënshtrua tor- turave më çnjerëzore. Versioni zyrtar i rregjimit ishte se Aliu u hodh nga kati i dytë i Hetuesisë së Tiranës dhe ra në telat e korentit. Por, vulat e zeza në trupin e tij, fytyra e enjtur dhe plagët e shumta që panë familjarët kur u thirrën për identifikimin e kufomës, provonin faktin se ky adhetar gjeti vdekjen nga torturat dhe jo nga vetëvrasja. Kjo ndodhi më 19 gusht 1947.
Duhet të kalonte kohë dhe plot 47 vjet që meritat e Ali Begejës të viheshin në dukje. Me vendimin nr. 14, datë 1-9-1994 të organeve përkatës, ai ka marrë statusin e të përndjekurit politik. Një vit më vonë, me dekretin nr. 1159, datë 18-7-1995, Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin “Ka kontribuar për çeljen e shkollave shqipe dhe përhapjen e ideve përparimtare; pjesëmarrës aktiv për çlirimin kombëtar dhe pavarësinë e vendit”.
Me propozim të Shoqatës “Tirana”, një rruge të qytetit i është dhënë emri “Ali Begeja”.

ALI HASAN BAKIU - Kryetar i Bashkisë - 1945 - 1946

Aliu Bakiu, bir i një familje të herëshme e të njohur të Tiranës, e që lindi më 20 tetor 1911, do të trashëgonte vetitë më të mira patriotike të trevës tonë. Pa iu ndarë punës, ai kreu me sukses shkollën teknike dhe gjimnazin e shtetit. Me të atin dhe vëllanë e tij themeluan firmën “Hasan Baki dhe djemtë”, që trajtonte artikuj të kancelarisë dhe të librarisë. Shumë shpejt, në vitet 30 të shekullit të kaluar, kjo firmë u bë njëra nga sipërmarrjet më serioze dhe më të njohura në kryeqytet. Duke komunikuar edhe në frengjisht e në italisht me partnerë europianë dhe duke mbajtur lidhje me fotografët më të shquar të kohës, falë edhe pasionit për këtë art, Aliu arriti të merrte edhe eksluzivitetin e kom- panisë së njohur fotografike “Agfa”. Ai kishte njëherësh pasion mjaft të madh edhe për librin, për filatelinë dhe për gjithshka lidhej me his- torinë e këtij vendi. Megjithëse mjaft i ri, në vitet ’30 të shekullit të kaluar, atij iu ngarkua detyra e këshilltarit në Dhomën e Tregëtisë, që, me sukses, e mbajti për gjashtë vjet me rradhë.

Pikëpamjet dhe formimin nacionalist, si dhe dhe vendosmë- rinë e tij kundër nazifashistëve, Aliu i shprehu që prej pushtimit të vendit në prill të vitit 1939 e sidomos në radhët e Frontit nacionalçlirim- tar të krijuar në Konferencën e Pezës, ku bënte pjesë edhe ai. Për këto angazhime të tij, Aliu është dekoruar edhe me “Urdhërin e Flamurit” dhe me “Medaljen e Kujtimit”.

Falë këtyre veçorive dhe figurës së tij morale; në janarin e vitit 1945, atë e emëruan kryetar të Bashkisë së Tiranës (apo kryetar të Komitetit Ekzekutiv, siç u quajt ky institucion i pushtetit vendor në kohën e rregjimit komunist), detyrë në të cilën, sidomos për shërimin e plagëve të luftës, ai punoi me mish e me shpirt. Megjithatë, vragë të pashlyeshme la në ndërgjegjen e tij pamundësia për të ndaluar prishjen e Xhamisë së vjetër, e cila ishte pa dyshim ndërtesa më e rëndësishme e qytetit të Tiranës, për shkak të veçorisë së saj historike. Ndërkohë, duke shërbyer plot përkushtim dhe duke shfaqur vetitë më të mira të tiranasve, ai nuk u mërzit kurrë së dëgjuari bashkëqytetarët e tij.

Për një vit e gjysmë, kohë gjatë së cilës qëndroi në krye të Bashkisë, rrogën ja dhuroi “Asistencës sociale”, në ndihmë të të varfër- ve të kryeqytetit, çka është përmendur dhe vlerësuar edhe nga shtypi kohës. Po kështu, ai kishte refuzuar edhe përdorimin e makinës, përveç

rasteve të veçanta, duke patur në vend të saj një biçikletë krejt të zakonëshme, ashtu siç nuk pranoi kurrë të bëhej anëtar i Partisë Komu- niste, që më vonë do të quhej Parti e Punës.

Duke mos qenë dakort me drejtimin komunist dhe projugos- llav që kishte marrë vendi ynë, ai kishte hyrë faktikisht në konflikt të pashpallur me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës. Megjithate, Aliu ishte shprehur dhe shprehej hapur kundër tatimeve të jashtëzakon- shme të luftës, të cilat synonin shpronësimin e tiranasve dhe të shqip- tarëve në përgjithësi Duke mos pasur asnjë hapësirë dhe mundësi për të kundërshuar apo për të ndaluar shitjen e interesave të vendit te jugosllavët dhe vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri; në qershorin e vitit 1946, ai dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës; çka pa dyshim përbënte një akt të lartë moral në përputhje me integritetin e tij si person i pakompromentuar. Dorëheqja nuk u përmend fare, por me shpejtësi u krye “shkarkimi” i tij, çka bëri bujë në Tiranën e asaj kohe.

Do të kalonte më pak se një vit dhe më 16 maj të vitit 1947, atë e arrestojnë së bashku me 200 intelektualë e patriotë të tjerë kryeqytetas. Arrestimi i tyre bëhej në kuadrin e zhdukjes së elitës dhe të vendosjes së diktaturës. Për Aliun ky akt ishte një dramë brenda dramës, sepse ndodhte vetëm dy muaj pas martesës së tij me Hyrie Tominin, që kishte mbaruar Institutin “Nëna Mbretëreshë”, vajzën e farmacistit të njohur Faik Tomini.

Megjithatë, ai nuk pranoi asnjë nga akuzat e hetuesisë dhe të gjyqit farsë të zhvilluar një vit më vonë, më 1948. Më 30 mars 1948, pa asnjë fakt, Gjykata ushtarake e dënoi atë me vdekje, si “armik i popullit” dhe që kishte dashur të përmbyste pushtetin e ashtuquajtur popullor. Gjykata e lartë, atë vendim e ktheu në 20 vjet burg, megjithate, “i dënuari pa faj” u privua nga liria për plot 12 vjet. Ishin vite të rënda, të cilat ai i përballoi me kurajë, për të pritur rikthimin pranë familjes, gjëja më e shtrenjtë për të. Ali Bakiu doli nga burgu më 25 qershor 1959, dhe më tutje u angazhua vetëm në punë të vështira; gjithmonë i survejuar dhe i spiunuar në çdo lëvizje që bënte. Ndërkohë, preokupimi i tij i vetëm ishin familja dhe librat që nuk i lëshonte kurrë nga dora.

Pas daljes në pension, ai ndërroi jetë më 10 maj të vitit 1981, në moshën 70-vjeçare.

HAKI HALIL KARAPICI

Nga familja Karapici, Muharremi, gjyshi i Hakiut, njihet si patriot dhe nxënës i Kristoforidhit; ndërsa Halili, i ati i Hakiut, ishte burgosur dhe internuar për çështjen kombëtare. Hakiu ka lindur në Tiranë më 20-1-1913, ku mori edhe mësimet e para. Gjimnazin e qytetit, ku u dallua në mësime e në aktivitetet kulturore, ai e përfundoi më 1932, krahas shokëve të tij e të mirënjohur, madje pjesë e këtij libri, si Sh. Ndroqi, J. Dashi, F. Llagami etj., e që, më vonë do të përbënin një plejadë të shquar intelektualësh tiranas.
Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Bolonjës, ku studionin edhe shqiptarë të tjerë, e mbylli me sukses në vitin 1937. Një vit më vonë, ai kreu edhe shkollën Ushtarake të plotësimit.
Karrierën profesionale e filloi menjëherë sapo kthehet në Atdhe.
Duke fituar në konkursin e shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme, ai emërohet “Atashe” në Prefekturën e Tiranës, detyrë të cilën e kreu me mjaft profesionalizëm. Falë qytetarisë së tij, emri i Hakiut bëhej gjithnjë e më i njohur dhe më i respektuar. Me bindjet patriotike, pasi kishte marrë pjesë në demonstratat e 5 dhe 6 prillit 1939, kërkoi largimin nga prefektura. Kjo kërkesë ju plotësua një vit më vonë kur u emërua sekretar i parë në Prefekturën e Dibrës, detyrë të cilën e refuzoi për arsye shëndetësore. Pas kësaj, në fillim të vitit 1942, Hakiu nis aktivitetin privat, kur ai hapi zyrën e vet avokatore. Gjatë viteve 1943-1944, ishte edhe sekretar i SK “Tirana”, ku,
duke dhënë kontribut të ndjeshëm, hartoi njëherësh edhe Statutin e këtij klubi me mjaft emër në historinë e sportit shqiptar. Si për mjaft intelektualë, edhe për Hakiun, problemet erdhën pas
vendosjes së diktaturës komuniste. Për te, filluan kur në mars të vitit 1945, ai ishte avokat mbrojtës në gjyqin famëkeq kundër deputetëve dhe vazhduan më tutje, kur, po me detyrën e avokatit, ai ishte i pranishëm edhe në gjyqe të tjera politike për civilë dhe ushtarakë. Edhe pse anëtar i Komitetit Ekzekutiv për qytetin e Tiranës dhe më parë edhe i komisionit të zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, e arrestuan më 15 maj të vitit 1947, kohë që shënon fundin e karrierës së tij profesionale. Me vendimin nr. 212, datë 30-3-1948,dënohet me pushkatim “si anmik i popullit, për krime kundër shtetit dhe për pjesëmarrje në organizatën klandestine të deputetëve tradhëtarë”. Fatmirësisht i falet jeta, me dekretin e datës 27-4-1949 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Lirohet nga burgu pas 15 vjetësh, më 28-12-1962. Por, 43 vjet diskriminim, deri më 19 prill 1990, kur ai vdiq, e lodhën ate, për të shpëtuar nga ajo jetë e imponuar prej atij rregjimi. 

HAMID MUSTAFA GREBLLESHI

Si mjaft të tjerë të asaj plejade njerëzish, që me shpirt të madh e me guxim, me mund e me djersë, iu përkushtuan formimit të identitetit të kombit të tyre deri sa dhanë edhe jetën, edhe tiranasi Hamid Greblleshi ka kontributin e vet. Këto fjalë përcaktojnë saktë portretin karakterin, ndersh-mërinë dhe drejtësinë e këtij personaliteti.
Ai lindi në Tiranë më 6 janar të vitit 1897. Me që i ati i tij u nda shpejt nga jeta, pesha e familjes dhe e pesë fëmijëve të saj mbeti te e ëma, Aishja, e cila e përballoi atë falë punës së vazhdueshme në veshjet karak-teristike tiranase dhe te vetë Hamiti me detyrën e mësuesit në fshatrat e Tiranës. Më tutje, xhaxhai i tij, Myslymi, që jetonte e punonte në Turqi, e mori Hamitin atje, nën kujdesin e të cilit, në Akademinë Ushtarake të Stambollit, ai kreu arsimin e lartë për prapavijë.
Angazhimin në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare e filloi me gradën e nëntogerit, më 1 mars 1915. Në vitet e mbretërisë, kur gjithnjë e më shumë po dukesh shteti i organizuar, Hamidi, i brumosur me bindjet e tij naciona-liste për një Shqipëri demokratike dhe të orientuar për nga perëndimi, duke ngjitur shkallët e karrierës, arriti deri në gradën e majorit. Zaptimi i Shqi-përisë nga Italia fashiste e gjen Hamidin në Burrel, pasi më parë kishte kaluar edhe nëpër qytete të tjera. Kjo kohë përkoi me keqësimin e shëndetit të tij, si rrjedhojë e të cilit, pas qëndrimit prej disa muajsh në spital, me dekretin nr. 131, datë 31 tetor 1939, dhe duke gëzuar të drejtën e pensionit për shërbimin 24 vjeçar, lirohet përfundimisht nga ushtria. Pas kësaj kohe, ai u angazhua me formimin dhe shkollimin e fëmijëve të tij, nga të cilët, veç dy vajzave të tij, Jalldizi dhe Vjollca, që më vonë u bënë mësuese, spikat shkrimtari i mirënjohur, Mustafa Greblleshi.
Përmirësimi i shëndetit dhe nevojat ekonomike bënë që në gusht të vitit 1944, Hamiti të kthehet përsëri në ushtri dhe gjithnjë në detyrat e prapavijës. Por ky eveniment jo vetëm se nuk vazhdoi gjatë (gjithsej tre muaj), por edhe ishte fatal për jetën e tij. Në mëngjesin e 28 tetorit të po këtij viti, forcat partizane e morën nga shtëpia e tij në rrugën e tabakëve (sot Shyqyri Ishmi), “për disa pyetje në komandë”, siç thanë ata. E pushkatuan pa gjyq dhe po atë natë. Megjithëse kanë kaluar shumë vite, sikurse edhe për mjaft të tjerë, varri i tij mbetet i panjohur.
Në vitin 1993, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka vlerësuar me medaljen “Për veprimtari patriotike”.
 
Marre nga libri TIRANA – PERSONALITETE, INTELEKTUALË TË HERSHËM
Autore: Prof. Dr. Ismail Demneri, Prof. As. Dr. Shyqyri Rreli, Arben Tafaj

FIQRI MYSLIM LLAGAMI

Fiqri Llagami, ai djalë tiranas dhe me mjaft temperament, lindi më 12-11-1913. Gjithë formimin parauniversitar, prej arsimit fillor e plotor në Shkollën e Mati Logorecit e deri në Gjimnazin e qytetit, e kreu në vitin 1935, në Tiranë. Prirjet e tij, përmes aktiviteteve të ndryshme u shfaqën shpejt, madje, që në bankat e shkollës. Në vitin 1933, kur kryente arsimin e mesëm, botoi librin “Njerëzit e mëdhej”, punim i cili, duke kaluar nivelin e një gjimnazisti, tregonte bindshëm kulturën dhe përgatitjen e tij. Ndërkohë, ai ishte mjaft aktiv edhe në ngritjen e bibliotekës së Gjimnazit. I angazhuar gjithnjë në aktivitetet jashtëshkollore, Fiqiriu punoi si gazetar, duke qenë njëherësh i lidhur edhe me aktivitetet sportive e sidomos të tenisit, ku ishte zgjedhur edhe nënkryetar i klubit të Tiranës.

Prindërit e tij, Myslim Llagami (protagonist i këtij libri), një avokat shumë i njohur, dhe e ëma, Zyhraja, e nisën në Francë për studime të larta.

Rregjistrohet në Shkollën e Lartë të Gazetarisë, të cilën e mbaroi në vitin 1941, duke ndjekur njëherësh edhe fakultetin e drejtësisë. Me bindjet e tij nacionaliste e antikomuniste dhe gjithnjë me pasionin për profesionin e zgjedhur prej tij, edhe nga Franca, shkruante për gazetat shqiptare “Drita”, “Bashkimi i kombit” , “Java” dhe “Tomori”. Kur u kthye në Shqipëri, duke mbajtur të njëjtat bindje, botoi gazetën “Shqipnija”, megjithëse jo jetëgjatë, por vetëm me 13 numra.

Por, pikëpamjet politike të Fiqiriut natyrisht nuk mund të kalonin pa pasoja. Menjëherë pas mbarimit të luftës, atë e arrestuan dhe e dënuan me gjyqet speciale të vitit 1945. Vitet e burgut, ku qëndroi deri më 1955, i kaloi kryesisht me përkthime nga gjuha frënge. Megjithatë, edhe pas burgimit, ky intelektual i mirënjohur, gjatë gjithë jetës së tij, mbeti i persekutuar nga regjimi i kohës. Për pesë vjet rrjesht qëndroi i internuar në fshatrat e Lushnjës; prej nga, duke punuar në Tiranë si punëtor krahu, si korrektor letrar, apo duke dhënë mësime private në frëngjisht, italisht e latinisht, por edhe i papunë, atij i vjen edhe një arrestim tjetër. Në vitin 1975, në periudhën e luftës kundër liberalizmit, nenet famëkeq për agjitacion dhe propaganda të ligjeve të kohës, i japin atij edhe tetë vjet burgim.

Por, Fiqiriu nuk doli më prej andej, ai vdiq atje, më 18-12-1978, në spitalin e burgut dhe pa i dhënë  mundësi familjes për të marrë trupin e tij.

Sigurisht, edhe fëmijët e vet, tre djem dhe një vajzë patën pasojat e tyre. Vetëm njëri prej djemve të tij mundi të mbarojë Fakultetin e Drejtësisë dhe kjo ndodhi pas vitit 1990.

ATIF ZIJA TOPTANI

I ati i Atifit me vëllezërit e mirënjohur Murat dhe Refik Toptani kanë qenë kushërinj të parë. Vetë Atifi  lindi në Tiranë në vitin 1914, ku, pas shkollës plotore, kreu edhe Shkollën Teknike të Harry Fultzit, siç njihet ai institucion. Për arsimin e lartë zgjodhi bujqësinë ashtu, si disa prej fëmijëve të kësaj familje. Pasi u diplomua “agronom” në Firenze të Italisë, ky intelektual  i formuar dhe poliglot i padiskutueshëm u  angazhua me fermën modern (natyrisht për atë kohë) të familjes së vet Toptani, ku vazhdoi deri në kohën e shtetëzimit të saj.

Me pikëpamjet e tij të mirënjohura patriotike, Atifi u shqua për një akt të lavdishëm. Gjatë Luftës së dytë Botërore, në shtëpinë e vet, strehoi mjaft hebrenj. Falë këtij veprimi të mirënjohur, jo thjesht politik, por  në rradhë të parë human, familja Toptani ka zënë edhe një vend tjetër të nderuar, për këtë ajo  përfaqësohet deri në Muzetë e Holokaustit në Tel-Aviv dhe në Washington.

Megjithate, as ai dhe madje as familja e tij nuk i shpëtuan persekutimit të pasluftës. Për tentativë arratisje, atë e burgosën së bashku me të shoqen dhe të birin. Kur doli nga burgu kaloi jetë të vështirë dhe ju  nënshtrua vetëm punëve të rënda.

Atifi vdiq në Tiranë në vitin 1967, atëherë kur ishte i ri dhe në moshë 53 vjeçare.

HASAN ALI MËNIKU

Hasan Mëniku, i lindur më 5-8-1907 në një familje të njohur e
autoktone tiranase, është nga ata intelektualë të hershëm që nuk qen- druan larg politikës. Ai dhe kushëriri bashkëmoshatar Halil Mëniku, për arsimimin e të cilëve është folë në vëllimin e tretë, pas mbarimit të arsimit fillor e plotor, të kryer në Tiranë gjatë periudhës 1915-1923, nisin formimin e tyre jashtë Shqipërisë. Në Insbruk të Austrisë, megjithëse të dy në të njëjtin gjimnaz, marrin drejtime të ndryshme: Hasani, në atë klasik, kurse Halili në atë real. Më tutje, Hasani futet në Universitetin e po atij qyteti, ku ndjek studimet e larta për farmaci dhe të cilat i mbaroi më 1933; ndërsa Halili shkoi në Francë.
I pajisur me veti të larta morale e shoqërore, patriotike e demokratike, Hasani kthehet në Shqipëri më 1943 pasi kishte punuar disa vjet te një profesor farmacist në Austrinë e poshtme. Me formim të lartë profesional, ky intelektual i kompletuar, u punësua në Tiranë, në farmacinë e madhe e të mirënjohur të vëllezërve Shundi, ku qendroi deri në vitin 1946.
Në bindjet politikoshoqërore, sikundër edhe kushëriri i tij, ai shquhesh si nacionalist i vendosur dhe si kundërshtar i fashizmit në ideologji e në aktet e tij pushtuese, për çka ishte shprehur që para luftës së dytë botërore, në vitin 1936. Por, njëherësh, Hasani kishte edhe men- dimet e patundura të një antikomunisti. Me këtë formim, në zgjedhjet e tetorit të vitit 1943, ai u bë pjesë e grupit prej 10 deputetësh të Tiranës në Asamblenë Kombëtare të Shqipërisë.
Duke shkruar për protagonistët e këtij libri, deputetë të kësaj Asambleje si dhe të legjislaturave të tjera para saj, nuk kemi pasë për detyrë të analizojmë shkaqet dhe rrethanat historike e politike mbi shkallën e pranisë së përfaqësuesve të trojeve shqiptare jashtë kufinjve shtetërorë të 1913-s. Megjithatë, Asamblea Kombëtare e Shqipërisë apo Kuvendi Kombëtar që u quajt pas datës 10-11-1943, kishte specifikë të veçantë dhe krejt të dukshme, frymën “kombëtare” e pra jo vetëm atë “shtetërore”. Kjo Asamble që ishte organizuar dukshëm mbi këtë kënd- vështrim, kishte pra autoritetin e vet edhe në territoret shqiptare jashtë kufinjve zyrtarë. Është thënë se, në këtë institucion të lartë legjislativ, krahas deputetëve të prefektuarave të Beratit, Dibrës së vogël, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit, Shkodrës, Tiranës dhe Vlorës,

75 të tjerë ishin përfaqësues të Kosovës nga prefekturat e Mitrovicës, Pejës, Prishtinës e të Prizrenit; ndërsa 30 të Dibrës së madhe.
Mendojmë se, për realitete të tilla, megjithëse mjaft të rralla, por me interes kombëtar dhe me mjaft vlerë, është në dobi të historisë tonë dhe të formimit të çdo shqiptari që domosdoshmërish ata të pro- pagandohen dhe aq më tepër tani, kur ekziston edhe një shtet i ri shqip- tar, ai i Kosovës. Por, nuk ndodh gjithnjë kështu, madje fatkeqësisht ndonjëherë, këta fakte kundërshtohen. Ja një rast. Në vitin 1942, Kam- pionati X-të i futbollit u zhvillua bashkë me ekipe të Kosovës, çka do të thotë që, ai ishte shumë më tepër “kombëtar” se paraardhësit e vet, madje edhe se pasardhësit, megjithëse të dy mbartin po këtë përcaktim. Ky aktivitet mbarëkombëtar u organizua i ndarë në tre zona: e veriut, me Shkodrën, Prishtinën, Pejën dhe Prizrenin; e mesme, me Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin dhe e jugut, me Korçën, Beratin dhe Gjirokas- trën. Ndeshjet në grupe, nxorrën në gjysëmfinale Shkodrën e Prizrenin nga zona e parë (me që ishin më shumë skuadra); Tiranën, nga e dyta dhe Beratin nga e treta. Nga çiftet Shkodra-Berati dhe Tirana-Prizreni, që u zhvilluan përkatësisht me 26 dhe 27 qershor 1942, në finale dolën dy të parat. Ndeshja finale e 29 qershorit shpalli Tiranën kampione.
Por, ky aktivitet, megjithëse i vetëm i kësaj natyre në planin sportiv, nuk njihet ende zyrtarisht nga organet tona përkatëse. Arsyeja sikur thonë se, ai është zhvilluar “në kohë të okupacionit!!”. Me këtë logjikë, ndoshta nuk duhet të njihet p.sh., as arsimimi i mijra shqipta- rëve të kryer në atë kohë e sidomos të atyre jashtë shtetit?.
Duke u kthyer përsëri Hasani, bindjet politike të tij, të papër- puthura me rregjimin e diktaturës, patën rrjedhimet e veta. Atë e arrestuan për tentativë arratisje, akt për të cilin, pas kërcënimeve dhe torturave, e dënuan me shtatë vjet që i kaloi në burgun e Tiranës e në kampin e Maliqit. Por, edhe më pas, prej vitit 1953, jeta e tij ishte e dhimbshme. Nuk u lejua të banonte në Tiranë, por të paktën 5 km larg saj. Me ndihmën e disa miqve, mundi të strehohej në Selitë, prej nga vinte fshehurazi për të shitur qymyr dhe për të takuar shokët e tij intelektualë si E. Çabej, Dh. Pasko etj..
Pas tre vjetëve (1956), Hasanit iu lejua ushtrimi i profesionit të farmacistit, por përsëri jo në Tiranë. Për 26 vjet, duke banuar në shtë- pinë e pedagogut Pandi Vakëflli, që ai e ka kujtuar gjithnjë me mjaft respekt, Hasani punoi me profesionalizëm dhe ndershmëri në Farma- cinë e Beratit dhe të Spitalit të qytetit. Ai dhe e shoqja e tij, Muhazesi, zotëruese e katër gjuhëve, në spital e në Drejtorinë e Shëndetit ku ajo ishte e angazhuar, mbetën gjithnjë modelë të punonjësit shembullor.
Megjithatë, edhe kur doli në pension (1981), diktatura nuk e lejoi Hasanin të kthehej në Tiranë. E, për këtë, ai vazhdojë të jetojë po atje, madje shumë gjatë, deri kur vdiq më 20 korrik të vitit 1993.

QAZIM KASEM XHEPA

Sikundër edhe të tjerë intelektualë, kjo figurë e njohur, megji- thëse jo si një politikan i mirëfilltë, plotëson kriteret për të qenë prota- gonist edhe i këtij vëllimi. Në vitin 1943, ai ishte zgjedhur deputet i Tiranës në Asamblenë e atëhershme Kombëtare, e të veçantë për nga përfaqësuesimi i trojeve shqiptare. Fillimisht, Qazimi e kishte refuzuar kandidimin me motivin, “kombit tim, i shërbej më mirë me profesionin që kam”. Por, niveli i tij ishte domosdoshmëri për këtë detyrë.
Megjithëse për këtë personalitet kemi shkruar edhe në vëllimin tonë të tretë, po përsërisim sado pak nga jeta dhe aktiviteti i tij. Qazimi lindi në Tiranë më 25 shkurt 1907, ku në vitin 1926 kreu edhe arsimin parauniversitar. Pasi punoi deri në vitin 1929 në Shoqërinë private “SITA”, ai kreu studimet e rregullta universitare për “inxhinier elektrik” gjatë periudhës 1932-1938. Falë bindjeve atdhetare që njeriu ndjen për vendin e tij, Qazimi kthehet për të jetuar e punuar në Shqipëri, megji- thëse i martuar me shtetasen austriake Hildegard Hochleitner dhe me të cilën i lindën dy fëmijë. Gjithnjë me ndërgjegje dhe profesionalizëm, pasi punoi një vit në Centralin elektrik të Durrësit, kaloi në atë të Tira- nës, ku vazhdoi deri më 1947. Më tej pat disa detyra: inxhinier dhe shef i seksionit të planit në Degën teknike të administratës së Elektrikut; deri më 1951, kryeenergjetik në Degën elektrike të Ministrisë së Indus- trisë dhe në seksionin teknik të Drejtorisë së elektrocentraleve.
Por, ky njeri i mirë pat një dramë në jetën e tij. Politika diktato- riale e kohës e arrestoi atë natën e 23 shkurtit të vitit 1951, gjoja për pjesëmarrje në hedhjen e bombës në ambasadën Sovjetike. Edhe pse ai pat fatin t’i shpëtojë pushkatimit dhe u lirua si i pafajshëm, kjo ngjarje nuk kaloi pa rrjedhoja. Familja e tij, megjithëse në shtëpinë e vet prej dy katesh duhet të banonte vetëm në një dhomë, sepse të tjerat i ishin dhënë të ardhurve rishtaz në Tiranë. Ndërkohë, për të përballuar nevo- jat ekonomike, ju desh të shiste edhe mjaft sende të përdorimit vetjak.
Shumë më vonë, madje deri kur doli në pension, punoi në shkollën profesionale, Politeknikumi “7 Nëntori”, ku u çmua nga breza të tërë ishnxënësish të tij, teknikë dhe inxhinierë të mëvonshëm. Ai u shqua jo vetëm për metodën dhe komunikimin me nxënësit, por edhe për botimet shkollore të teknikës elektrike.
Qazimi vdiq i nderuar në korrik të vitit 1987.

ali qorraliu

U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës, ka përkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist.
Megjithate pas lirimit nuk ndermori asnje veprim kunder regjimit. Pa pasur asnje trashegimtar, u arrestua si “terrorist” dhe u pushkatua pa meshire, pa gjyq. La pas vetem kujtimin e nje njeriu te ditur e te pasur. Kur u zbulua varri, u vu re se para pushkatimit ja kishin shkulur dhembet e florinjte