Promovimi i librit te Ismail Malosmanit

Ismail Mal’Osmani u lind më 3 janar 1910 në Tiranë në një familje të mesme qytetare. Ai dhe dy vëllezërit e tij, Xhelal dhe Sulejman, ishin fëmijë të Hysenit dhe Zyhrasë. Me hapjen e shtypshkronjës “Mbrothësia” sjellë nga Sofia prej Kristo Luarasit dhe e vendosur në një ndërtesë me tre kate në Rrugën e Kavajës, Ismaili u fut aty ai punëtor i thjeshtë. E tërhoqi zanati i tipografit. Si mësoi sekretin e shtypit të të librave dhe gazetave, u largua prej aty dhe ngriti në rrugën Dibrës një shtypshkronjë të vogël, me makineri të përdoruar. Në janar të vitit 1932 u formua shoqëria “Gutenberg” me pjesëtarë Ali Ndroqi dhe Ismail Mal’Osmani. Në vitin 1935 shtypshkronja u transferua në rrugën “Bari” dhe u quajt “Gutenberg”. Më 1943 ai i shiti bashkëpunëtorit të tij gjysmën e shtypshkronjës dhe vendosi të hapë shtëpinë botuese që mbajti emrin e tij. Sigla e kësaj shtëpie botuese ishte një vendosje harmonike e tri gërmave IOM dhe në të djathtë të tyre një pishtar. Kuptimi i saj është: Ismail Mal’Osmani përhapës i dijes. Në faqen e parë, në kopertinë shkruhej: Ismail Mal’Osmani, Botonjës-Tiranë. Për t’iu dhënë botimeve një hop cilësor mbante pranë një përkthyes, Kristaq Cipon, dhe për t’iu ardhur në ndihmë punëtorëve të tij, mbante në shërbim një mjek. Më 1947 shtëpi botuese u shtetëzua dhe ai doli i papunë. Më 1951 u martua me zonjushën Leman Ruga nga Durrësi, e bija e Xhemil Rugës, Sekretar i Përgjithshëm i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Shqiptar. Më 1956 fillon punë radhitës në gazetën “Zëri i Popullit”, ndërsa e shoqja në Ndërmarrjen e Grumbullimit. Në moshën e pensionit Mal’Osmani u dërgua në Fier dhe Elbasan për të ngritur dy shtypshkronja të cilat bouan gazetat “Drapër e çekan” dhe “Shkumbini”. Ndërroi jetë më 12 shkurt 1983 në moshën 73-vjeçare. Në vitin 2000 Bashkia e Tiranës i dha Ismail Mal’Osmanit titullin “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës” me motivacionin: “Për vlera të larta qytetare dhe intelektuale të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës dhe për të cilat qytetarët e saj i shprehin mirënjohjen e tyre”.