RILINDJA NUK I HAP DOT NEGOCIATAT

Nga Arben Tafaj

Gjermanët kanë qenë në krye të grupit ndërkombëtar që kërkonte shkarkimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit si ministër rendi – bashkë me francezët dhe britanikët, në kohën që Edi Rama e mbronte atë me fjalime politike. Mbrojtja e fundit që ju dha Tahirit nga gjykata – me një vendim që qartazi I zhgënjeu të gjithë – paralajmëroi se cfarë kushtesh do të ballafaqonte Shqipëria për të hapur negociatat me BE-në.

RIlindja është përgjegjëse për dy vepra të rënda me karakter penal: ajo konsakroi politikisht modelin e vjedhjes së zgjedhjeve ndërsa shumëfishoi prodhimin dhe trafikimin e drogës – kryesisht të kanabis, nga Shqipëria.

Eshtë e veshtirë të thuhet cili prej këtyre dy zhvillimeve parapriu tjetrin. Një gje dihet me siguri: kanabizimi I vendit fuqizoi elitat politike me mbështetjen e errët që gjeneroi kjo ekonomi kriminale. Kriminalizimi I vendit kërkonte njëherësh besnikëri politike, duke deformuar në zinxhir funksionimin normal të shtetit – prej gjykatave deri tek zyra e fundit e shërbimeve.

Vjedhja e votave u bë kusht që grupet kriminale të vijonin punën. Mazhoranca nisi të funksiononte si zyrë logjistike e një ekonomie kriminale, ndërsa ky process kriminalizoi në themel mendësinë me të cilën funksionon një mjedis shoqëror.

Deri më sot negociatat nuk janë hapur për shkak të vizioneve të ndryshme të vendeve europiane për zgjerimin ose jo të Bashkimit Europian. Prej sot, falë vullnetit gjerman, përgjegjësite e këtij zhvillimi janë shkarkuar tërësisht mbi shpatullat tona. Qartazi dhe prerë na kërkohen një tërësi ndryshimesh rrënjësore në system dhe një plan veprimi konkret – me afate që nuk negociohen.

Por kjo mazhorancë nuk e ka integritetin e mjaftueshëm për ta bërë këtë. Edhe nëse do të donte – ajo është kriminalizuar thellë dhe është tërësisht peng i veprave të veta në këto dy mandate.

Pas vendimit të fundit ndaj ish-ministrit Tahiri, vendi do vazhdojë të bluajë skandale ekonomike në prokurimin publik, sasira skandaloze droge do vazhdojnë të kapen nga shërbimet e vendeve fqinje, debati politik do të mbetet peng i cic-mic-eve qesharake dhe tragjike të tryezave shterpë dhe ndërkohë ne do të humbim cdo shans për të fituar kohën e humbur jashtë mureve të Europës.

Eshtë e qartë se kjo mazhorancë dhe institucionet që ajo trupëzon nuk munden më të kapërcejnë as modelin as historinë e shkurtër me të cilin Rilindja u konsolidua në pushtet në këto 7 vite. Ato janë peng i produktit të tyre politik.
Ne po shkojmë drejt një momenti historik kur mbijetesa e RIlindjes në pushtet rrezikon varrosjen e interesave të vendit.

Përfshirja e saj e mëtejshme në reformën për drejtësi rrezikon të hedhë në erë investimin më të rëndësishëm politik ndërkombëtar qysh prej vitit 1991. Drejtimi i ekonomisë prej saj po e shtyn vendin drejt një gremine financiare me pasoja afatgjata. Korrupsioni i frikshëm, grabitja kriminale e cdo aseti natyror përmes oligarkisë politike, politizimi ideologjik i cdo segmenti të jetës janë mbajtur në këmbë deri më sot falë një furie propagandistike që administron vetëm mediat sociale dhe kanalet kryesore të informimit publik. Por rrëzimi i kësaj ngrehine duhet të administrohet me logjikë politike dhe me integritet parimor nga opozita.

Qytetarët deri më tash i janë përgjigjur kësaj krize në rritje vetëm me braktisje të vendit, duke rrudhur tregjet dhe duke dobësuar cdo shans zhvillimi të tij. Rikthimi i besimit të tyre tek ndryshimi është detyra kryesore e cdo politike.

Për këtë arsye – reforma zgjedhore është shpresa e vetme për rikthimin e legjitimitetit institucional – dhe për fillimin e përmbushjes graduale të kushteve që Shqipëria ka përpara për hapjen e negociatave. Kjo reformë nuk mund të jetë e pjesshme, sipërfaqësore dhe kalimtare.

Ajo duhet të ndërtojë një mekanizëm të pakthyeshëm të përfaqësimit të vërtetë politik, pa truke shkëmbimi votash, një process që cliron nga korrupsioni dhe trafiqet e interesit së pari sistemin politik.

Sa më e gjerë të jetë tryeza e kësaj reforme, aq më I sigurt është rezultati I saj. Barazia e subjekteve politike dhe shoqërore dhe përfaqësimi i tyre i pavarur në tryezën e reformës është garancia e konsensusit të saj, Dhe atë nuk e certifikojnë më partitë: atë duhet ta mirënjohin qytetarët.