Shoqata Tirana nderon me titullin “Fisnikeria Tiranase znj. Nermin Daja

Në vazhdimësi të respektimit të vlerave të pafund që mbart qyteti ynë, në një ceremoni qytetarie tek Piano-Bar Piaca, Shoqatata Tirana u mblodh për nder dhe në respekt të Zonjës Nermin DAJA. Nermin Daja (ZHABJAKU), një nga Koncertmaestret me kontribut të pamatë në Teatri e Operas dhe Baletit Shqiptar, lindi dhe u rrit në një familje autoktone tiranase. Dashuria dhe përkrahja familjare pa kufij, gërshetuar me talentin e lindur, këmbënguljen dhe punën e saj të palodhur, jo rastësisht u pasua nga kariera brilante për mbi 40-vjeçare në Shqipëri, kudo në Europë dhe Amerikë… Urtësinë dhe tolerancën karakteristike tiranase, kombinuar me alegrinë dhe shpërthimet shkodrane shkrirë më së miri falë martesës me regjizorin e shquar të fimit shqiptar, tashmë të ndjerit zotit Ismail ZHABJAKU, e maturuan dhe e bënë krejtësisht unike interpretimin përkrah këngëtarëve kolosë të skenës shqiptare për 36 vite me rradhë. Ndërkohë që paralelisht për 25 vjet ka qenë pianiste e parë shoqëruese në Klasën e Operas në Akademinë e Arteve Tiranë. Prej nga dolën jo pak këngëtarë të talentuar të skenës shqiptare, por edhe përtej saj duke tronditur edhe skena në mbarë botën. Ajo u tërhoq nga skena pas një aktiviteti 13 vjeçar në New York SHBA, pas koncertit historik në Well Recital Hall të Carnegie Hall në New York në vitin 2014. Ku muzika klasike shqiptare u interpretua në këtë skenë të rëndësishme artistike, për gjatë gjithë kohëzgjatjes së koncertit. Falë punës së palodhur ndër vite dhe interpretimit të saj brilant, ka marrë vlerësime dhe nderime të panumurta nga Këshilli Artistik i Operas Kombëtare Shqiptare, si dhe në vitin 1985 është dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri”. Në këtë takim sa të thjeshtë por edhe aq elitar, i dorëzuam bijës sonë “bio”, gocës artiste tironse, zonjës së nderuar Nermin DAJA (ZHABJAKU), “FISNIKËRINË TIRANASE” në respekt të saj.